Kosova afirmon aleancën me SHBA-në duke strehuar refugjatët afganë

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë shtetet e para europiane që kanë pranuar të strehojnë përkohësisht afganët të cilët më pas do të zhvendosen drejt SHBA-ve, teksa arratisen nga pushtimi taleban i vendit të tyre.

Pjesa më e madhe janë civilë që kanë bashkëpunuar me SHBA-të, apo misionet ndërkombëtare në Afganistan dhe po evakuohen drejt Europës deri në marrjen e vizave amerikane, shkruan POLITICO.

Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës thotë se është kontaktuar direkt nga presidenti Joe Biden muajin e kaluar me kërkesën për të strehuar përkohësisht refugjatët afganë.

“Pa asnjë hezitim, apo kushtëzim kam dhënë miratimin tim për këtë bashkëpunim humanitar ka thënë”- ka shkruar Osmani në “Facebook”, ku ka shtuar: “Askush nuk e di më mirë se ne çfarë do të thotë të përjashtohesh me forcë nga vendi ku je lindur, të ndahesh nga të dashurit e tu dhe të detyrohesh të braktisësh vendin për të shpëtuar jetën”.

Shqipëria ka qenë po ashtu mikpritëse

“Përgjatë ditëve të fundit SHBA-të i kanë kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si shtet tranzit për një numër emigrantësh politikë afganë, që do të kenë si destinacion final SHBA-të. Dhe padyshim që ne nuk do të themi jo, jo vetëm sepse na e kërkojnë aleatët tanë më të mëdhenj, por sepse ne jemi Shqipëria!”- ka shkruar kryeministri Rama në “Facebook”.

Konviktet e studentëve janë zbrazur në Shqipëri për të pritur afganët, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka lajmëruar se do të vendosë në dispozicion hotele dhe rezorte për t’i mikpritur. Kosova ka thënë se ka kapacitetin për të marrë 10 mijë njerëz. Refugjatët e parë mbërrijnë në Shqipëri ditën e mërkurë.

Reklama