Koreja e Veriut ka lëshuar disa raketa balistike në det, disa orë pas nisjes së stërvitjes vjetore ushtarake të përbashkët të Koresë së Jugut dhe SHBA-së, të quajtur “Mburoja e Lirisë”.
Koreja e Veriut ka reaguar duke e quajtur këtë stërvitje një provokim të rrezikshëm.
Shefat e Shtabit të Koresë së Jugut kanë njoftuar se raketat u lëshuan nga provinca Hwanghae në Kore të Veriut, duke shënuar herën e pestë që Koreja e Veriut lëshon raketa këtë vit, shkruan Euronews.com,.
Stërvitja “Mburoja e Lirisë”, e cila ka filluar dhe do të zgjasë 11 ditë, përfshin trajnime të drejtpërdrejta, virtuale dhe në terren, sipas autoriteteve amerikane. Koreja e Veriut e ka cilësuar këtë stërvitje si “akt provokues që mund të rrisë rrezikun për një konflikt”.
Po ashtu, javën e kaluar, motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Yo Jong, paralajmëroi për reagime të mëtejshme pas ankorimit të një aeroplanmbajtëseje amerikane në Korenë e Jugut.
Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë stërvitjeve, kur dy aeroplanë luftarakë të Koresë së Jugut bombarduan gabimisht një zonë civile në Pocheon, pranë kufirit me Korenë e Veriut.
Si pasojë, 30 persona u plagosën, dhe forcat ajrore të Koresë së Jugut e kanë quajtur këtë një gabim njerëzor.