Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pranuar ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një takim pune, i cili do ndodhi dje.
Në takim, të pranishëm ishin edhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Memli Krasniqi, shprehu gatishmërinë e PDK-së për zgjedhje. Ai konsideron se qeverisja deri këtu nuk ka qenë e duhura.
Por cilat janë gjasat për një bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në të ardhmen?
Zëvendësja e kryeministrit Kurti në qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila drejton partinë e vogël “GUXO” , s’ka përjashtuar një koalicion në të ardhmen me partinë e themeluar nga Hashim Thaçi.
Gërvalla në një intervistë për Syri Tv në Tiranë, bashkëqeverisja “në rast ekstrem” mund të ndodh nëse PDK-ja do të pastrohet nga figurat e korrupsionit. Bashkëkryetarja e “Guxo” thotë se nuk pret që kjo të ndodhë në mandatin e ardhshëm.
“Ju po ja shtoni një supozimi për të cilin nuk mendoj që ka për të ndodhur. Të flasim për realitetin. Në rastin ekstrem, që nuk pres të ndodhë në mandatin e ardhshëm, nëse PDK-ja apo cila parti tjetër në Kosovë, do të ishte çliruar apo ndarë nga radhët e saj nga njerëz që edhe sot janë aty dhe që e përfaqësojnë krimin dhe korrupsionin që e kanë zhvatur shtetin e Kosovës dhe që janë pasuruar pafundësisht në kurriz të qytetarëve, atëherë nuk do të shihja asnjë pengesë. Por nuk e shoh këtë mundësi”, ka thënë Gërvalla në TV Syri.
Partitë politike në Kosovë janë duke kërkuar shkuarjen në zgjedhje të reja. Megjithatë ende s’ka pajtim mes tyre dhe qeverisë për rrugën drejt zgjedhjeve. Opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit, shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, megjithatë Kurti ka sfiduar partitë opozitare që t’i mbledhin votat për rrëzimin e tij në Kuvend.