Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar në “Facebook” për mesazhet që Dejona Mihali i’u dërgon deputetëve dhe krerëve të shtetit.
Ai e kritikoi ashpër qeverinë e Kosovës, por edhe presidencën, për arsyen se si mundet një shtetas i huaj të marrë shtetësinë e Kosovës me procedura aq të shpejta.
Tutje Gjoshi ka folur edhe për bisedën e djeshme mes deputetes Ardiana Matoshi me Dejona Mihalin, pasi që kjo e fundit i tregonte se si të reagojë dhe të sulmojë një pronar të një mediumi.
Gjoshi kritikoi edhe kryeministrin Kurti për qasjen e tij ndaj Dejona Mihalit, i cili i ka dhënë shumë hapësirë Mihalit për të vepruar në Kosovë.
Ndërsa Gjoshi dënoi edhe sulmin e djeshëm ndaj mediumit “Periskopi” dhe pronarit të tij Ilir Mirena.
Reagimi i plotë:
PËR KËND VOTUAN QYTETARËT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË ZGJEDHJET E 14 SHKURTIT 2021?
Sigurisht se asnjëri prej atyre mbi 400 mijë votuesve nuk e kishte në mendje Dejona Mihalin kur shkoi për të votuar, sepse ajo nuk ishte as kandidate për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.
Madje, Dejona Mihali nuk ishte as shtetase e Kosovës gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, por ajo e mori pasaportën me procedurë super të shpejtë, si një dëshmi e qartë e nënshtrimit të presidentes, Vjosa Osmanit. Siç është raportuar në media, më 4 shkurt 2022 “Komisarja e VV-së” e ka paraqitur kërkesën te presidentja, Vjosa Osmani, e cila ka nxjerrë dekretin në më pak se një muaj, më 31 mars 2022.
Prandaj, kush është ky njeri që e ka këtë fuqi që brenda 28 ditësh të marrë shtetësinë e Republikës së Kosovës?
Kush është ky njeri që i lejohet të urdhërojë deputetët e Kuvendit të Kosovës se çfarë duhet të shkruajnë në rrjete sociale, çfarë duhet të deklarojnë apo çfarë fjalimi duhet të mbajnë në Kuvend?
Mbi të gjitha, kush është ky njeri që urdhëron deputetët e Kuvendit të Kosovës se si duhet të votojnë?
Përtej përmbajtjes skandaloze të mesazhit drejtuar kundër pronarit të mediumit online, “Periskopi”, z. Mirena, me ç’rast e dënoj ashpër, jashtëzakonisht shqetësuese mbetet ‘Urdhërimi’ i një deputeti të Kuvendit të Kosovës nga një person që nuk dihet se kush është.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më së miri mund të tregojë se përse ia ka dhënë gjithë këtë fuqi një personi që parasëgjithash nuk ka kaluar masat e verifikimit të sigurisë?
Albin Kurti duhet të përgjigjet se cila është përgjegjësia e këtij njeriu pa legjitimitet dhe të paverifikuar në acarimin e marrëdhënieve mes Kosoëvs (Qeverisë) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Kurti, si kryetar edhe i Vetëvendosjes, duhet të tregojë se sa nga qëndrimet publike të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që ofendojnë dhe linçojnë zyrtarët amerikanë, janë shkruar dhe përgatitur nga Dejona Mihali?