Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar ‘’Sharri’’ të mërkurën ka njoftuar se është duke monitoruar me vëmendje të shtuar situatën e krijuar si pasojë e aktiviteteve të disa llojeve të kafshëve të egra, e në mënyrë specifike të Ariut të Murrmë.
Sipas kësaj drejtorie arinjtë kanë shtuar frekuentimin në zonat e banimit si dhe në lokacionet e destinuara për vizitorë në territorin e Parkut Kombëtar ‘’Sharri’’.
“Kjo situatë po përsëritet çdo vit dhe kryesisht gjatë periudhës maj-qershor, ku arinjtë në kërkim të ushqimit shpeshtojnë frekuentimin e këtyre zonave dhe lokacioneve ku hidhen mbeturina ushqimore”, thuhet në njoftim.
Për shkak të gjendjes së krijuar dhe në përpjekje për të monitoruar nga afër gjendjen, Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare ‘’Sharri’’ gjatë këtyre ditëve ka shtuar edhe numrin e kontrolleve dhe aktiviteteve në terren.
Në mesin e tyre ka përmendur kontrollet nga rojtaret e natyrës në lokacionet Brezovicë dhe Prevallë; angazhimin e shtuar të stafin profesional me kontrolla të përditshme përfshirë edhe ditët e vikendeve; takime dhe informim të vizitorëve rreth rreziqeve që paraqet kjo situatë; dhe informim përmes rrjeteve sociale, uebfaqes dhe formave tjera të komunikimit.
“DAPK ‘’Sharri’’, do të vazhdojë edhe me aktivitete tjera, por njëkohësisht i fton për bashkëpunim edhe institucionet tjera relevante dhe stacionet Policore të Shtërpcës dhe stacionet Policore të Prizrenit, si dhe kërkon nga banorët e zonës dhe vizitorët që të mos hedhin mbeturina ushqimore në territorin e parkut”, përfundon njoftimi.