Të shtunën, më 30 gusht, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i dha fund sagës së seancave maratonike konstitutive që ua prishën nervat një populli të tërë.
Për një çast, ajo që ndodhi dje krijoi përshtypjen se Vetëvendosje më në fund u tregua e guximshme, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’i shtruar Presidentes Vjosa Osmani rrugën e dhënies së mandatarit për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Megjithatë, mbyllja e seancës nga kreu i Kuvendit, jo vetëm që s’e finalizoi seancën konstitutive, por e zhyti edhe më tej krizën institucionale në probleme të reja, duke shtresuar bllokadë mbi bllokadë; dalja nga ngërçi tashmë duket vite dritë larg.
Vetëvendosje, përmes kryekuvendarit Basha — deklaratat e të cilit u cilësuan poshtëruese dhe qesharake — i çoi veprimet antikushtetuese në ekstrem; me Kryesi të ‘gjymtuar’, shpalli të përmbyllur seancën konstitutive.
Ky akt, në optikën e juristëve, jo vetëm që bie ndesh me frymën e Kushtetutës, por e përbalt dhe e poshtëron Kuvendin në mënyrë të turpshme.
Basha u përpoq të veshë me logjikë atë që në vetvete është e palogjikshme; deklaroi “moszgjedhja e njërit prej pesë nënkryetarëve nuk mund të bëhet pengesë”.
“Janë ezauruar të gjithë nga komuniteti serb, asnjë nuk u zgjodh në të gjitha tentativat. Ne si Kuvend skemi mundësi të vazhdojmë, prandaj me këtë rast, konsideroj që kemi ezauruar pikën e 4të të rendit të ditës, dhe ska mundësi tjetër. Konsideroj që kjo seancë mbyllet dhe kuvendi është konstituuar”, tha Basha.
“Konsideroj që moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët nuk mund të bëhet pengesë që të mos konstituojë Kuvendin e Kosovës. Si të veprohet tutje me punën tonë, do t’i konsultoj anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të hënën”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, e konsideroi deklarimin e Dimal Bashës si një akt “përtej talljes me shtetin”, duke theksuar se Kuvendi mbetet i pa konstituar.
“Qytetarët po e shohin dhe nuk do ta harrojnë. Përtej talljes me shtetin ështjë bërë edhe e rrezikshme. E kanë kthy në Big Brother kuvendin, me pa kush po eliminohet e kush po humb. Kjo ska ndodh asnjëherë, ka mungesë totale të përgjegjesisë. Ka sjpërfillje të rendit kushtetues”, tha Krasniqi. Janë duke sharruar edhe më tej në shkelje kushtetuese”, tha Krasniqi.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili e cilësoi si “çmenduri politike”.
“S’marrim pjesë në çmenduri të tilla”, ka thënë ai.