Lajme

Konjufca takohet me Rudolph, ja se çka biseduan

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.


Siç ka njoftuar MPJD, në këtë takim Rudolph e ka uruar Konjufcën për detyrën e re, ndërsa ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

“Gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, një partneritet që tejkalon dimensionin bilateral dhe mbështetet në lidhje të forta politike, ekonomike dhe shoqërore që kanë vendet tona. U theksua gjithashtu roli i rëndësishëm i diasporës sonë në Gjermani dhe i bizneseve të shumta që qytetarët tanë kanë ndërtuar atje, duke nënvizuar nevojën për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike dhe të bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim thuhet se është diskutuar edhe për zhvillimet rajonale dhe procesin e dialogut, si dhe për rëndësinë e vazhdueshme të koordinimit dhe angazhimit për stabilitet dhe përparim në rajon.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Gjermaninë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button