Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues.
Konjufca ky pyetur se si mundet një deputete e Serbisë ta prezantoj Kosovën, teksa ka thënë se nuk është në interesin e Kosovës që të jetë funksional ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Një institucion i cili e konsideron veten se është i Kosovës duhet të veprojë sipas kushtetutës dhe ligjeve tona dhe interesit tonë shtetëror, nëse një institucion nuk është i Kosovës, në kuptimin e sjelljes së tij mban qëndrime që nuk janë të Kosovës por të Serbisë, nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion”, tha ai.
Ai tha se tek ky ekip nuk është problem vetëm sjellja dhe papërgjegjësia e tyre karshi institucioneve të Kosovës, por edhe kryesimi i tij nga një deputete e Kuvendit të Serbisë.
“Një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues, si mundet një deputete e Serbisë ta prezantoj Kosovën”, tha Konjufca gjatë ditës së sotme.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar dje se ministri Elbert Krasniqi e ka ftuar në takim ekipin menaxhues për draft-statutin e Asociacionit, por ata nuk i janë përgjigjur.
Kurti po ashtu ka thënë se deklaruar se ndërmjetësit evropianë duhet t’i bëjnë trysni Serbisë, meqë sipas tij shenjat për konstruktivitet nga ana e saj, nuk janë të mira.
Kurti po ashtu ka deklaruar se në takimin e 2 majit në Bruksel pret që çështja e të pagjeturve të trajtohet me urgjencë, ashtu siç ishte premtuar në Ohër më 18 mars.
Ai ka nënvizuar se shenjat nga pala serbe nuk janë të mira, por ka thënë se me këtë duhet të merret Bashkimi Evropian.
“Unë kërkoj që teksti i dakorduar tashmë të shndërrohet në marrëveshje, sa i përket Kosovës dhe ne gjithçka është e qartë dhe e garantuar, por ndërmjetësit evropianë do të duhej të bënin trysni mbi palën tjetër. Shenjat nuk janë të mira për konstruktivitet kur dimë që pikërisht në Batajnicë në varrezën masive ku nuk ka asnjë pllakë, asnjë shënim që aty ka pasur dikur varrezë masive, organizohet paradë ushtarake e ku ftohen edhe kriminelët serbë nga veriu i Kosovës, edhe lideri seperatist e destruktiv i serbëve të Bosnjës, Dodjik. Këto shenja nuk janë të mira, mirëpo me palën tjetër nuk do të mund merremi ne sepse nuk kemi juridiksion mbi Beogradin, këtë duhet ta bëjë Bashkimi Evropian”, ka thënë Kurti.
E gjatë ditës, edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka publikuar tri vendime të qeverive të kaluara për “Ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se të martën e kaluar, me 18 prill, si ministër i është drejtuar me ftesë për takim këtij grupi, për të cilën nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjera, teksa ka publikuar edhe ftesën që iu ka dërguar.
Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve, Rada Trajkoviq e cila ka thënë se Danijela Vujiçiq, anëtarja e re e Ekipit Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është e pakualifikuar për këtë pozitë.
Kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve e ka quajtur të tmerrshme këtë përzgjedhje, që sipas saj e ka bërë Vuçiqi.
“Deputetja e SNS nga Kuvendi i Serbisë udhëheq ekipin për hartimin e statutit të Asociacionit. Sigurisht që ajo nuk është juriste dhe nuk ka kualifikime për këtë punë. Por ajo është “superfanse” e Milan Radoiçiqit. Është e tmerrshme në duart e kujt Vuçiq e vendos fatin e serbëve në këtë moment fatal. Dhe pastaj pyetjet se pse puna për Asocacionin po ngec”, ka shkruar ajo në Twitter.