Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca ka thënë se aktgjykimi i Kushtetuese i ka thënë të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje në shumë pika sa i përket procesit të konstituimit të Kuvendit.
Konjufca ka thënë se si pikë e parë, Kushtetuesja ka konstatuar se duhet marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ai po ashtu tha se sipas leximit të VV-së, Gjykata nuk ka konstatuar se votimi i fshehtë për kryetarin është antikushtetuese.
Ai tha se votimi i fshehtë është në të njëjtën kategori për nga legjitimiteti kushtetues, sa edhe votimi i hapur.
“Duhet ta kemi të qartë që t’ia japim kontekstin e duhur kësaj çka dua të them, e të nisem prej të gjitha veprimeve që t’ua bëjmë edhe një rikapitullim të gjitha veprimeve që i ka ndërmarrë VV-ja ashtu që Kuvendit të konsituohet sipas procedurave kushtetuese. VV-ja ia ka përgjigje pozitivisht faktit që si fituese e zgjedhjeve ka të drejtën ta propozojë kryekuvendarin. Kjo nuk hasi në mirëkuptim të subjekteve tjera opozitare, dhe pikërisht qasja e tyre ishte bllokuese sepse zgjodhën të mos e votonin Haxhiun. Duke e pasë parasysh që nuk i kishim automatikisht 61 vota, ne ndërmorëm një seri veprimesh tjera, si të nevojshme dhe veprime që mund ti ndihmonin procesit. Njëra prej tyre është ftesa dy herë me radhë për kryetarët e subjekteve politike për takim që të krijohet një marrëveshje politike për të votuar kryetarin dhe nënkryetarët. VV-ja gjithmonë ka theksuar që nëse partitë opozitare bllokojnë kryetarin e Kuvendit në këtë mënyrë, kemi thënë që i njëjti reciprocitet mund të aplikohet edhe për nënkryetarët dhe kështu nuk shkojmë askund, procesi bllokohet. Këtu na dha të drejtë aktgjykimi i Kushtetueses. Aty një prej konstatimeve më të rëndësishme është se nëse hyhet në bllokadë për me kërku marrëveshjE politike secili subjekt me secilin, atëherë kjo nuk vlen vetëm për kryetarin e Kuvendit, një gjë që gjithmonë e kemi theksuar dhe partitë opozitare e kanë mohuar gjithmonë. Kjo u sqarua. Propozimi ynë ishte ti vendosim në pako të gjithë dhe ti votojmë duke mos iu përzier secilit në emrin që e propozon.
Nga ana e Gjykatës, sipas leximit tonë është fakti që obligimi për të përfunduar konsituimin e Kuvendit, është obligim i të gjithë deputetëve.
Unë pashë disa prej opinioneve, duke përfshirë edhe ata që e mbajnë veten si profesionistë. Leximi ynë është që përmes vendimit për votim të fshehtë, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje. Të gjithë ata që thonë se Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, janë lexues të dobët të Kushtetutës. Kushtetuesja ka thënë se nuk ka kurrfarë klauzole eksplicite që e obligon Kuvendin me shku deri në pafundësi me votimin e hapur. Edhe votimi i fshehtë është në të njëjtën kategori për nga legjitimiteti kushtetues, sa edhe votimi i hapur”, tha Konjufca në një konferencë për media.