Kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, do ta vizitojë Kosovën këtë javë.
Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
Kreu i LDK-së i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të enjten ka takuar Torres’in i cili është edhe bashkëkryesues i Grupit për Shqiptarët në Kongresin Amerikan.
“Kongresmeni Torres do të jetë këtë javë për vizitë në Kosovë. Përveçse do të gjej një vend të bukur me histori plot, do të gjej dhe një popull mirënjohës për rolin e ShBA-ve në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai e ka falënderuar për kontributin dhe angazhimin e tij në Kongres, në veçanti për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe nevojës për vënie të drejtësisë nga lufta e fundit në Kosovë.
“Biseduam dhe për aspiratat e popullit të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik si dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së SHBA-ve në këtë rrugëtim”, shtoi ai.
Ndërkaq, kongresmeni amerikan vazhdimisht ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Madje, ai i kishte shkruar personalisht edhe presidentit të ShBA-ve, Joe Biden, ku i kishte kërkuar që ta trajtoj urgjentisht këtë çështje.
“Si liderë të botës së lirë, ShBA-të duhet të mbështesin aleatët e tyre. Nuk kemi aleat më të madh në Evropën Juglindore se sa Kosovën dhe unë shqetësohem se pa anëtarësim në NATO, Kosova mund të jetë e hapur ndaj sulmeve të Serbisë dhe Rusisë”.
Gjithashtu, Torres me dhjetëra herë iu ka bërë thirrje pesëshes evropiane për njohjen e pavarësisë së Kosovës.