Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se mungesa e ujit të pijshëm për pjesën më të madhe të verës është përgjegjësi e qeverisë dhe kompanive rajonale të ujësjellësve.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, deklaroi se kanë pranuar shqetësime të shumta nga qytetarët dhe kryetarët e komunave, pikërisht për mungesë të ujit.
“Është e padrejtë që komunat të fajësohen për mungesën e ujit të pijes, kurse përgjegjësia ligjore i takon kompanive rajonale dhe qeverisë. Komunat kanë bërë investime në rrjet, por pa investime qendrore në burime të reja dhe digë akumuluese nuk mund të ketë edhe përmirësim të situatës.
Në të njëjtën kohë, të gjitha pagesat për ujin e pijes dhe shërbimet e kanalizimit mblidhen nga kompanitë rajonale të ujësjellësit, dhe jo nga komunat. Për këtë arsye, çdo mungesë e furnizimit apo problem në cilësinë e shërbimit është përgjegjësi ligjore dhe institucionale e KRU-ve dhe e qeverisë qendrore, jo e komunave” deklaroi Ibrahimi, për IndeksOnline.
Sipas tij, komunat kanë përgjegjësi dhe kompetencë vetëm për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit, teksa procesi i furnizimit me ujë kalon nën menaxhim të KRU-ve dhe qeverisë.
“Komunat e Kosovës, sipas ligjit, kanë përgjegjësi vetëm për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit. Pas përfundimit të investimeve, kjo infrastrukturë i kalon automatikisht në pronësi dhe menaxhim kompanive rajonale të ujësjellësit (KRU), të cilat janë nën mbikëqyrjen e qeverisë së Kosovës.
Është shqetësuese që nuk ka investime serioze në gjetjen e burimeve të reja të ujit të pijes dhe në ndërtimin e digave akumuluese. Pa projekte madhore në këtë drejtim, nuk do të mund të ketë edhe përmirësim të situatës” shtoi Ibrahimi.