Nënkalimin që lidh rrugën “Agim Ramadani” me lagjen e vjetër të qytetit, Komuna e Prishtinës synon ta realizojë sivjet. Projektet e tjera që komuna i konsideron të mëdha që do të financohen këtë vit, kapin shumën 20 milionë euro. Por, opozita është skeptike sa u përket projekteve komunale.
Nënkalimi në rrugën “Agim Ramadani”, në afërsi të Kuvendit po konsiderohet si njëri nga projektet më të mëdha infrastrukturore në komunën e Prishtinës për vitin 2024, sipas drejtorit të Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi.
“Jemi në pjesën e nënkalimit në rrugën Agim Ramadani projekti më i madh infrastrukturor të cilin e kemi në vitin 2024 është nënkalimi nga teatri në drejtim të komunës dhe në drejtim të Gjimnazit Sami Frashëri, komunikacioni do të zhvendoset në pjesën e poshtme i papenguar prej këmbësorëve”, tha Xhaferi.
Xhaferi foli edhe për vazhdimin e rrugës A dhe për projekte të tjera.
“Projekti tjetër i rëndësishëm vazhdimi i rrugës A nga Kalabria në drejtim të Veternikut këtë segment do ta tenderojmë sivjet ndërsa kontrata të cilën do ta kemi aktive është rruga A do të përmbyllet 1.2 kilometra nga Veterniku në drejtim të rrugës B, segmenti i rrugës A do të ketë diku 2.5 kilometra realizim gjatë vitit 2024. Do të vazhdojmë më platformën ndërlidhëse, nga pallati i rinisë në drejtim të lagjes Arbëria dhe pallati i rinisë në drejtim të Grandit”, theksoi ai.
Opozitarët e kësaj komune pritjet se sivjet do të realizohet ndonjë projekt i madh i kanë minimale.
“Pritjet janë minimale, sepse vitin e kaluar kemi parë investime të pakta, kurse Prishtina ka nevojë për shumë invesimt”, tha Besart Krasniqi, asamblist i LVV-së në Prishtinë.
Edhe shef i asamblistëve të AAK-së në Prishtinë, Bahri Gashi ka shprehë mos besim ndaj qeverisjese komunale.
“Ka ngecje në këtë drejtim, sidomos në investimet kapitale ku prekën ma së shumti qytetari në aktivitetet ditore, i shohim rrugët që nuk janë nivel qysh duhet, ka do rrugë të reja po ato janë shumë pak, zgjasin shumë projektet arsyet e ndryshme” , tha ai.
Projektet që i ka planifikuar komuna për sivjet kapin shifrën rreth 20 milionë euro./RTK