Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    “Komiteti i Deçanit”, një monument i kthyer në letër

    28/03/2023 09:43
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    (Fjala e mbajtur në përurimin e librit “Komiteti i Deçanit” i Hasan Ukëhaxhajt)

    Agron GASHI

    1. Fenomeni i grupit të Deçanit

    Profesor Hasan Ukëhaxhaj, autori i librit që po përurojmë sot, është autor model, model kulture që i përket strukturës së nacionalizmës (B. Merxhani), i kultivuem në frymën e veprimit dhe të edukimit kombëtar.  Ai vjen prej dijeve humane dhe, dikur, në Rilindjen e hershme evropiane, çdo veprim i tyre njihej me humanizëm, ndërsa në letrat shqipe njihej si atdhesi, siç shprehej Konica.  Ajo që  e bën të veçantë  autorin e këtij libri është fakti se ai është i kultivuem në frymën e atdhesisë dhe literaturës, e cila njihej për artikulimin e ideve nacionale: Bashkim me Shqipërinë, edhe për veprimin racional: Ngritjen dhe mbajtjen gjallë të vetëdijes kombëtare.

    E gjithëkjo është trashëgimi e breznive, e projektuesve të fundit të ‘800-tës, por nëse përkthehet në lëvizje bashkëkohore, del fenomeni i qarqeve. Hasan Ukëhaxhaj, me bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë, konceptualisht nuk është i qarqeve, por përherë i tërësisë. Mirëpo, ai me grupin e mësimdhënësve të Deçanit, konkretisht të “VëllezërveFrashëri”, bashkë me nxënësit e tyre duhet parë si fenomen politik dhe kulturor.

    Ne nënvizojmë dy çështje që e karakterizojnë si fenomen politik:

    E para, ata janë mësimdhënës të një shkolle, të një vendi dhe periudhe kohore, që merren me veprimtari politike, tipik grup disidentësh politikë. Qe besa, duke qenë edhe intelektualë të formuar, morën përsipër zȃnin e ison e frymës nacionale në kohën kur dukej që ngadalë po mekeshin. Prandaj duheshin më shumë zëra kryengritës se ai i Metush Krasniqit dhe i Adem Demaçit, deri te Jusuf Gërvalla. Kështu, grupi i mësimdhënësve të Deçanit, pastaj edhe i nxënësve të tyre duhet parë si fenomen politik, nacional e historik përbrenda historisë bashkëkohore të Kosovës.

    Dhe, nëse në fushën akademike kërkohet një pyetje kërkimore atëherë njëra prej tyre që mund të shtrohet është:

    Pse ndodhi kjo lëvizje e madhe bash me mësimdhënësit e kësaj shkolle dhe cili ishte ndikimi i tyre? Mësimdhënësit- pjesë e Lëvizjes klandestine, Komitetit,  organizatës së tyre, nxënësit-pjesë organizatës tjetër që kishin një linjë ideologjike.

    Por, sot, nga historianë, njerëz të mendimit t’naltë (Koliqi), ky vërtetë  është  rast studimi, ku militantja dhe meditantja gjithmonë bashkudhëtojnë në këtë trevë.

    Porfesor Ukëhaxhaj i takonte atij brezi mësimdhënësish iluministë dhe kryengritës,  edukatorë dhe atdhetarë, njohës të kulturës dhe historisë, disidentë e të burgosur politikë, ndikimi i të cilëve ishte dhe mbetet i padiskutueshëm dhe i pazëvendësueshëm.

    Ata sfiduan normat e sistemit arsimor jugosllav; kur s’bënte punë fjala- bënte libri, kur s’bënte figura shfaqej deklarata e afishuar. Kjo dëshmohet e mbetët e vulosur në këtë libër, e cila lidh skajet e kujtimeve, monografisë historike dhe autobiografisë.

    • Kursi ideologjik e diskursi nacional

    Në parathënien e këtij libri shtrohet roli politik dhe gjeostrategjik i Kosovës përballë konteksteve ndërkombëtare dhe roli i Shqipërisë në planin ushtarak,  në planin politik, pra politikën e jashtme. Shenjat autobiografike vërehen  që në parathënie, duke e shkrirë  përvojën  personale me historinë nacionale.

    Ukëhaxhaj ndjek një rend kronologjik diakronik në kurs e diskurs. Nis me lëvizjet politike e historike të vitit 1924 e tutje. Qasja provohet të jetë sa më objektive. Referancialiteti është dëshmi e kulturës së leximit dhe interpretimit të dilemave të mëdha historike, ndaj përfshin tekste, dokumente, deklarata, konferenca e deri edhe konventa ndërkombëtare.

    Rrëfimi autobiografik dhe historiografik nis këtu e mbi 40 vjet më parë, me Ismail Haradinajn, Jashar Salihun, Xhavit Hoxhën, emra bashkëveprimtarësh dhe bashkëvuajtësish, të rënë e të gjallë, ata që qëndruan këtu dhe ata, që siç thotë edhe vetë,“që i ranë kryq e tërthor Evropës’, të cilët përmes kapitujve “do t’i kthejë në jetë”.

    Prandaj secila kaptinë e këtij libri është një referencë historike mbi organizatat klandestine në  Kosovë në  fillimvitet “80-të e këndej. Në kapitujt e këtij libri, kur flet për organizatat klandestine, ilustrimet të veprimeve bëhen karakterizuese siç ndodh me Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, e cila kishte karakter çlirimtar. Ukëhaxhaj diskuton për rolin e NDSH-së, për alternativat që ofronte përballë situatave të pafavorshme politike, lëvizjeve të Lidhjes Komuniste nga Lufta e Dytë Botërore e tutje. Evokime me tone historike shpërfaqen më shumë te një organizatë tjetër, Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare nga Metush Krasniqi me bashkëveprimtarët e tij, Ali Aliun e Kadri Halimin. Në këtë kontekst, Ukëhaxhaj flet edhe për formimin e Organizatës Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e shqiptarëve (1963) nga Adem Demaçi, organizata këto të cilësuara si jetëshkurtra, por zellmëdha.

    Në këtë rrjedhë, theksohet viti 1968, vit i kthesës historike, duke  e zgjeruar gamën e aktiviteteve jo vetëm politike, por edhe kulturore. Profesor Ukëhaxhaj, me qetësinë e një të urti, durimin e një hulumtuesi shpalos aktivitetet ndërkulturore mes Tiranës dhe Prishtinës, nis me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, ndalet te demonstratat e ‘68-tës, vlerëson reagimet nga Shqipëria shtetërore, në anën tjetër analizon propagandën tendencioze të shtypit jugosllav. Autori ynë, para se të venerojë demonstratat e 68-tës, vlerëson ndikimin e arrestimit të Demaçit, frymën dhe rrymën revolucionare, që solli në lëvizjen klandestine. Ukëhaxhaj, kur flet për tanësinë e cilëson në njëjës, Lëvizja, që lë të nënkuptojë se “Lëvizja…” ishte një, kishte një mision, siç ishte Rilindja, por për degëzimet kishin nominime të ndryshme, si: Organizata Marksiste Leniniste, Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës, Fronti i Kuq popullor apo edhe Partia Komuniste Marksiste -Leniniste e Shqiptarëve. Një analizë e këtyre emërtimeve dje, duket se ka ngjyresa të ideologjisë së majtë të cilën e ndiqte Tirana zyrtare, ndërkohë një analizë sot duket paradoks se si janë pagëzuar në këtë frymë ideologjike, pavarësisht pse veprimtaria ishte nacionale. Prandaj secili veprimtar i kësaj periudhe, që ka dëshmi dhe është i zanatit, do të duhej të ndjekë shembullin e prof. Hasan Ukëhaxhajt, t’i hedhë në letër, këto bëma t’i bëjë njësi bibliografike prej nga mund të kemi referenca të sakta dhe dokonstruktimevalide, në mënyrë që mos t’i ‘paragjykojnë’ për emërtimet, por t’i gjykojnë për veprimet. Kjo do të ndihmonte në vlerësimin e kuptimit të organizatave politike të kohës dhe ndikimit të tyre në historinë bashkëkohore të Kosovës.

    • Ideologema e  treshes,  “Komiteti” dhe “Shqiponja”

    Prof. Ukëhaxhaj, duke njohur sistemin e treshes, në librin e tij si një trinom i jetës del në pah ideologema, e cila më mirë se ku shfaqet nga LNÇKVSHJ, më konkretisht Komiteti të Deçanit. Kjo ideologemë kishte ideologët e saj, e këta ishin tre, Metush Krasniqi, Adem Demaci dhe Jusuf Gërvalla. Secila dekadë ka emrin e veprimit të tyre politik-nacional, duke mbajtur një koherencë. I pari themeltar, por jetëshkurtër, i dyti poashtu vazhdues, por fatkeq, i treti vetë i tretë i shndërruar në gjamë. Në këtë hulli, nuk janë të paktë që veprimtarinë e njërit apo të tjetrit provojnë ta zhvendosin nga një organizatë në tjetrën. Prandaj, Ukëhaxhaj, duke qenë edhe vetë pjesë e kësaj lëvizje, vë në dritë këto lajthitje, sidomos kur bëhet fjalë Jusuf Gërvallën, duke theksuar me fakte se ai nuk i takonte asnjë grupi tjetër përveç Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi. Dhe, edhe një herë konfirmohet e rezumohet saktë se Jusuf Gërvalla veprimtarinë e ka filluar në Kosovë dhe jo pas daljes në Perëndim dhe se veprimtaria e  tij nuk fillon në vitet 80-të, por më herët.

    Sidoqoftë, fokusi kryesor i autorit është themelimi, funksionimi, shtrirja dhe roli i Komitetit të Deçanit. Në vëzhgim e sipër, Ukëhaxhaj vë në pah figura dhe portretizon atdhetarë, që nga nisma e këtij komiteti, kur zë e diskutohet fillimisht në një takim në kullën e Mustafajve, ku ishin të pranishëm Jusuf Gërvalla, Hafiz Idriz Dermaku, ndërsa nga Gllogjani ishin Muhamet Alia e Nimon Mustafaj, pastaj projektohet në Gjimnaz, implementohet në Gllogjan nga pesëshja e njohur, Ismail Haradinaj, autori i këtij libri, Avdullah Hasanmetaj, Jashar Salihu dhe Drita Kuçi. Aktiviteti i tyre ishte sistematik dhe sistemues, i cili u zgjerua edhe në Mitrovicë, Drenas e Llap, celula këto të ngritura nga anëtarët e Komitetit të Deçanit.

    Si për ta përforcuar më mirë teorinë e nacionalizmës së kësaj lëvizje, autori sjell statutin e saj, që përveç tjerash, neni i nëntë parasheh përgatitjen  ushtarake, ndërsa neni i dhjetë saktëson pjekurinë  e duhur të secilit anëtar. Mbi të gjitha në disa nga nenet shihet zhvillimi i mendimit kritik, por edhe hapësira për vetëkritikë. Kjo platformë është narrativa më e mirë se n’çshtylla ngrihej dhe qëndronte Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi.

    Ajo që bie në sy, lëvizja në fjalë, në vlugun e shpërthimit me aktivitete e demonstrata kundër represionit serb, para mbi dyzetë vjet kishte nënvizuar që anëtarë e saj, assesi të mos kryenin“vepra brutale” ndaj ndonjë nacionaliteti tjetër, madje asnjë pjesëtarë pa shkelur normat morale. C’pastërti njerëzore?!

    Prandaj, për të gjithë ata që paragjykojnë apo gjykojnë pa të drejtë këto organizata brenda tyre kishte një humanizëm të fortë dhe nuk ishin ndëshkuese ndaj tjerëve, të cilëtnuk ishin veshur me pushtet represiv.

    Një hapësirë të rëndësishme prof. Ukëhaxhaj i kushton edhe grupit “Shqiponja”, i cili  grup po ashtu u themelua nga një pesëshe tjetër, Nasim Haradinaj, Rasim Selmanaj, Sokol Mustafaj, Mustafë Bajramaj dhe Rexhep Mehmetaj.

    Nuk ishte rastësi së në grupin “Shqiponja” tashmë kishte edhe familjarë të Komitetit dhe të Lëvizjes, si të Ismail Haradinajt, Nasimi, të Selmanajve, Rasim Selmanaj e Ali Selmanaj. Autori ndalet më shumë në aksione të kësaj organizate që tronditën opinionin, si marrja e shaptilografëve dhe përgatitja e shpërndarja rreth 1 mijë afisheve. Këtu, kur flasim për njeriun që mungon, duket cekur vendosja e afisheve madje edhe në stacionin policor në Deçan nga Nasim Haradinaj, përderisa bashkë me Rasim Selmanajn po shpërndanin ato në qytezën e Deçanit, atënatë ku 20 fshatra u zgjuan me status tjetër, pastaj po kaq jehonë edhe rrëzimidhe tërheqja e bustit të  PetarPërlës etj. Emrat dihen, janë këtu. Të secilit dhe secilës që ka kryer një aksion.

    Prandaj duhet thënë se Komiteti i Deçanit me veprimtarët dhe ideologët e saj, njëri prej tyre edhe Prof. Ukëhaxhaj, me nxënësit e tij me emër, heronj e të burgosur politikë dhe organizatën “Shqiponja”, ashtu si edhe organizata të tjera, arritën që të ngritin vetëdijen dhe të përgatisin popullatën:

    1. Për kërkesa të reja, shkëputje nga Jugosllavia dhe bashkim me Shqipërinë;
    2. Për organizimin e demonstratave jo vetëm të marsit, por edhe të prillit, sidomos në Deçan;
    3. Për gatitjen për luftë të armatosur, sepse një pjesë e tyre  u bënë edhe personazhe të demonstratave të viteve të mëvonshme, por edhe të luftës;
    4. Për ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit, sidomos në mes të burgosurve politikë.
    5. Për edukimin në frymën kombëtare, përmes komunikimit dhe ndërkomunikimit me literaturë artistike e propagandistike.

    Tutje, veprimtaria e tij shtrihet edhe në diskursin personal, sepse evokon nga përvoja të tij, por edhe në diskursin referencial, përvoja e të tjerëve, si rrëfimi autobiografik i Drita Kuçit, i Nimon Mustafajt, letërkëmbimi i Jusuf Gërvallës me Nazmi Selmanajn, por edhe referenca të tjera nga intervista e Jusufit, vepra e Hajdar Salihut etj.

    Po ajo që heq dilemat është publikimi i plotë i letrës së Jusuf Gërvallës dërguar Enver Hoxhës, e cila për përmbajtën, natyrën, kërkesat dhe mënyrën e adresimit kërkon një vështrim më të gjerë.

    • Çështje për diskutim

    Mbi të gjitha, ky libër hapë disa çështje për diskutim?

    1. A duhet të ketë një mendim kritik për Ahmet Zogun, duke parë edhe anët të tjera të medaljes, marrë për bazë monografitë që studiuesit e huaj kanë shkruar për të?
    2. A ishte në të vërtetë Qeveri Demokratik qeveria e Nolit me të ashtuquajtur edhe revolucion, edhe demokratik?
    3. A duhet rishikuar historia e Kosovës në Luftën e Dytë Botërore?
    4. A duhet rishikuar dhe rivlerësuar roli i Enver Hoxhësndaj Kosovës?
    5. A duhet të rishihet edhe cilësimi që i bëhet Arshi Pipës, meqë këtu shkruhet duke pasur parasysh ato çfarë thotë Xhevat Lloshi për të? (Arshi Pipa, nuk ka shkruar për Kosovën ashtu siç pretendon Xhevat Lloshi).
    6. Si duhet bërë publikimi i statuteve dhe i programeve të të gjitha organizatave në mënyrë që të kemi interpretime më objektive nga historianët?
    7. A duhet marrë për bazë  referencat që nuk përcaktojnë saktësisht  emra veprimtarësh, siç ndodh diku kur citohet një prej kolegëve-veprimtarë?(Citimi: “Ismail Haradinaj përmes një letre dërguar Jusuf Gërvallës, përmes një studenti”(!!) Të shprehet kështu, është sikur të thuash, e mori programin “një profesor”, kur dihet se studenti ishte Nazmi Selmanaj, i cili me muaj të tërë  kishte vepruar dhe ndenjur me Jusuf Gërvallën në shtëpinë e këtij të fundit).
    8. Dhe në fund, a u bënë bashkë organizatat klandestine në një të vetme në natën e 16-17 janarit?

    Disa përgjigje i gjejmë në këtë libër falë profesor Hasan Ukëhaxhajt, i cili kreu detyrë të dyfishtë; ishte pjesë dhe shkroi historinë e Komitetit të Deçanit.

    Deçan, mars 2023

    Të Fundit

    I kthehet pronarit vetura që iu vodh në Prizren, Policia jep detaje

    Enriques i vdiq vajza para 6 vitesh, sonte pas triumfit e mbajti bluzën me dedikim për të

    Takimi i parë ballë për ballë, Merzi i shkon për vizitë të enjten Trumpit

    Një person në gjendje të rëndë nga aksidenti mes veturës e motoçikletës në Prizren – Policia jep detaje

    PSG shpallet futues i Ligës së Kampionëve

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.