Komentet e Osmanit: Dekreti është kushtetues, VV vazhdimisht tha se 5 marsi është afati i fundit për president
Presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës komentet lidhur me kërkesat që kontestojnë kushtetutshmërinë e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, duke vlerësuar se vendimi i saj është në përputhje me Kushtetutën.
Kërkesat në Kushtetuese u dorëzuan më 9 mars nga kryeministri Albin Kurti dhe një ditë më pas nga deputetja Arbërie Nagavci së bashku me 30 deputetë të tjerë, ndërsa gjykata i ka bashkuar ato në një rast të vetëm.
Sipas “Betimit për Drejtësi”, në komentet e saj, Osmani thekson se Kuvendi dështoi ta zgjedhë Presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
“Anëtarët e partisë në pushtet në krye me Kryeministrin Kurti, sipas Presidentes vazhdimisht kanë përsëritur se 5 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit, andaj sipas saj, ndryshimi i qëndrimeve të tyre, duhet parë si përpjekje për të zvarritur shpërndarjen e Kuvendit. Thekson se Legjislatura e X-të kishte në dispozicion 23 ditë pas konstituimit të Kuvendit për të zhvilluar procedurën e zgjedhjes së Presidentit, por shfrytëzuan vetëm rreth një orë. Kështu që, Presidentja kundërshton kërkesën e parashtruesve që t’iu jepen 60 ditë afat” – thuhet në raportim.
Osmani vlerëson se dështimi për zgjedhjen e Presidentit nuk erdhi nga ndonjë pengesë objektive, por nga mungesa e vullnetit politik për marrëveshje në Kuvend.
Ajo kërkon që Kushtetuesja të konfirmojë se afati i nenit 86 (2) është detyrim kushtetues dhe se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit vetëm ka formalizuar pasojën e dështimit të deputetëve për ta përmbushur këtë obligim.
Ndryshe, më 9 mars 2026, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit.
Në seancën e 5 marsit, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar për president Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun, por seanca u ndërpre për mungesë kuorumi.
Një ditë më pas, Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.