Komandanti i luftës, Isak Musliu nga NISMA përkrah Kastriot Shabanin e LDK-së për kryetar të Shtimes

Në prag të zgjedhjeve lokale në komunën e Shtimes, komandanti i luftës dhe anëtari i Nismës Socialdemokrate, Isak Musliu, deklaroi se përkrah kandidatin e LDK-së për kryetar komune, Kastriot Shabani.
Musliu deklaroi se kjo përkrahje vjen pasi që nga marrja e mandatit si kryetar i degës së LDK-së në Shtime, Shabani ka ndërmarrë reforma të thella brenda partisë, duke sjellë një frymë të re dhe duke përfshirë figura të reja, me qëllim që të forcojë partinë dhe t’i japë më shumë energji politike.
Shkrimi i plotë i tij:
Mendim dhe qëndrim i imi personal !
BEFASI NË ZGJEDHJET 2020 – SHTIME
Befasia e zgjedhjeve lokale që po afrohen pritet të jetë LDK-ja e udhëhequr nga kandidati për kryetar komune, z. Kastriot Shabani, si dhe NISMA Socialdemokrate nën drejtimin e z. Sherif Krasniqi në Shtime.
Pse LDK dhe z. Kastriot Shabani?
Që nga marrja e mandatit si kryetar i degës së LDK-së në Shtime, z. Shabani ka ndërmarrë reforma të thella brenda partisë, duke sjellë një frymë të re dhe duke përfshirë figura të reja, me qëllim që të forcojë partinë dhe t’i japë më shumë energji politike.
Gjatë këtij mandati në qeverisjen lokale, drejtoritë që janë udhëhequr nga ai kanë treguar seriozitet, përkushtim dhe transparencë në shërbim të qytetarëve të komunës së Shtimes.
Duhet theksuar gjithashtu se z. Shabani dhe strukturat që ai drejton vlerësojnë lart kontributin dhe vlerat e dala nga lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
NISMA Socialdemokrate dhe z. Sherif Krasniqi
Edhe NISMA Socialdemokrate ka hyrë në një fazë të re reformimi. Nën udhëheqjen e z. Sherif Krasniqi, kjo parti është fuqizuar me figura të reja me ndikim tek qytetarët. Nga matjet dhe sondazhet që po zhvillohen në terren, del qartë se NISMA ka rritje të ndjeshme të mbështetjes dhe, me gjasë të madhe, do të jetë pjesë e legjislativit të ardhshëm komunal me dy asambleistë sëpaku
Zgjedhjet janë afër – dhe ndryshimi është i mundur!
Mbështesim fuqishëm të rinjtë, reformat dhe ata që punojnë me ndershmëri për qytetarin.
Shtimes i duhet vizioni i ri dhe një qasje më e ndershme në qeverisje.
Ju priftë e mbara!