Koci: Rinumërimi i plotë i votave mund ta fusë Kosovën në krizë politik
Politologu Melazim Koci ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e plotë të të gjitha votave në vendvotimet e 28 komunave ka ardhur si pasojë e dyshimeve të mëdha për manipulime serioze në procesin zgjedhor.
Sipas tij, bëhet fjalë për skandalin më të madh zgjedhor që nga viti 1999, i cili tejkalon edhe atë që ishte cilësuar si “vjedhje industriale” në zgjedhjet e vitit 2010.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Koci ka theksuar se KQZ-ja nuk ka pasur alternativë tjetër përveç rinumërimit total, me qëllim të largimit të dilemave dhe rikthimit të besimit në procesin zgjedhor
“Mendoj që KQZ nuk kishte zgjidhje tjetër për të hequr dilemat apo dyshimet e mëdha në një proces që më së paku mund të quhet skandaloz. Kjo është ndoshta vjedhja më e madhe që nga viti 1999 dhe i kalon përmasat e asaj që quhej vjedhje industriale e vitit 2010”, ka deklaruar Koci.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se ky vendim mund të ketë pasoja të rënda politike për vendin, pasi pritet ta zgjasë ndjeshëm procesin zgjedhor dhe ta fusë Kosovën në një qorrsokak apo krizë politike.
Koci ka veçuar veçanërisht rastet e dyshuara për manipulim të votës në Prizren, duke i cilësuar ato si pjesë të një skandali me përmasa kombëtare.
Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që këto manipulime të jenë rezultat i një skeme të organizuar për ta goditur procesin demokratik në Kosovë.
“Është bërë nga ata që unë i quaj cuba politikë, njerëz që nuk e kuptojnë çfarë është demokracia, ose është një skemë e organizuar për ta goditur procesin demokratik në Kosovë”, ka shtuar ai.
Ai gjithashtu nuk ka përjashtuar mundësinë që në këtë skemë të jenë të përfshira shumica e partive politike, duke theksuar se hetimi duhet të zbardhet sa më parë nga Prokuroria.
“Nuk besoj që ky proces ka filluar dhe ka përfunduar te individët, sepse shtrirja është në të gjitha komunat e Kosovës. Kjo e godet rëndë rendin kushtetues. Aseti më i rëndësishëm i Kosovës është demokracia dhe nëse goditet vota e lirë, pak mbetet nga Kosova”, ka përfunduar Koci, duke paralajmëruar se rrëshqitja drejt modeleve autokratike do të ishte fatale për të ardhmen e vendit.