Koci: Mozzik s’ka nevojë ta paguajë Doganën e Kosovës sepse është shtetas i Zvicrës

Këngëtari i njohur, Mozzik së bashku me avokatin e tij, Arianit Koci, janë paraqitur edhe sot në ATK, rreth blerjes së orave Richard Mille dhe një Rolex, me vlerë totale 1.340.027,50 euro, raporton GazetaDemos.
Pas paraqitjes në ATK, Mozzik foli për GazetënDemos, duke treguar se si ndodhi ndalimi i tij nga Dogana.
“Në momentin që e kam publiku foton ka qenë një ditë pa ardhë prej Zvicrës në Kosovë. Kur kam ardhë ka qenë një kontroll rutinore, krejt normale. E shfytëzoj rastin edhe me i falënderu për sjelljen e mirë të Doganës së Kosovë, Një kontroll rutinore, kurrgjë tjetër. Janë procedura që duhet me u marr me to”, tha Mozzik.
Avokati i tij, Koci tha se besojnë që Mozzik nuk është i detyruar të kryej pagesë në Doganën e Kosovës, pasi është shtetas zvicëran.
“Ka paqartësi në ligj. Me rëndësi është që zyrtarët e Doganës po kanë mirëkuptim ndaj neve, por natyrisht, ata duhet me e zbatu ligjin. Tash po tentojmë më i spjegu disa çështje. Ky jeton në Zvicër, është me lejeqendrim në Zvicër, dhe nëse vjen me një orë që është blerë në Zvicër, dhe rrinë në Kosovë disa ditë, ky ka me u kthy prapë në Zvicër, ne vlerësojmë se nuk duhet me u pagu Dogana, përndryshe nuk ka logjikë kjo”, tha Koci.