Avokati Arianit Koci ka thënë se Gjykata Speciale duhet t’i japë leje ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi i cili vdiq të dielën.
“Haxhi Thaçi u nda nga kjo botë. Kosova humbi një njeri të saj. Por më shumë se kaq – kjo javë dëshmoi një padrejtësi, një mungesë të plotë humanizmi.
Më shumë se një herë, Hashim Thaçit iu refuzua e drejta për ta vizituar babanë e tij, që po jepte shpirt. Më shumë se një herë, një panel gjyqësor në Hagë nuk u bind se një njeri po vdiste.E lanë të priste. E lanë të shpresonte. Dhe kur më në fund ia dhanë lejen, ishte vonë”.
“Dhe e gjitha kjo bëhet edhe më e rëndë kur kujtojmë se Hashim Thaçi nuk është thjesht i ndaluar – ai është i izoluar mijëra kilometra larg Kosovës, në një paraburgim që s’ka fund”, shkruan Koci në një postim në Facebook.
Mes tjerash, avokati Koci thekson se tani më nuk ka justifikime për lejimin e Thaçit në ceremoninë e varrimit të babait nga gjykata në Hagë.
“Duhet t’i jepet leja për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Kështu e do humanizmi. Kështu e kërkon drejtësia”.