Akt brutal të shkeljes së lirisë së shprehjes dhe akt të qartë të totalitarizmit e ka quajtur Koalicioni për Familjen gjobën prej 4500 eurosh nga PZAP.
Sipas Koalicionit për Familjen ata tashmë kanë filluar të paguajnë çmimin e kundërshtimit ndaj totalitarizmit të ‘komunistëve modernë’.
Në reagim thuhet po ashtu se nëse LVV merr edhe një mandat në qeveri ky totalitarizëm do të jetë prezent në të gjjtha sferat e jetës institucionale në Kosovë.
“Koalicioni për Familjen tashmë ka filluar të paguajë çmimin e kundërshtimit ndaj totalitarizmit të komunistëve modernë. Pas ndalimit të emitimit të spotit të Koalicionit për Familjen në RTK, tashmë kemi marrë edhe një gjobë prej 4500 eurosh nga PZAP për gjoja gjuhë të urrejtjes. Sipas tyre gjuhë e urrejtjes ose krim është të folurit kundër martesave njëgjinore dhe mbrojtja e strukturës së familjes natyrale. PZAP e ka marrë këtë vendim pas ankesës së disa organizatave të homoseksualëve që gjatë mandatit të kësaj qeverie kanë marrë donacione nga Ministria e Kulturës. Ky është akt brutal i shkeljes së lirisë së shprehjes dhe akt i qartë i totalitarizmit që po i kërcënohet Republikës së Kosovës! Edhe një mandat i LVV në qeveri dhe ky totalitarizëm do të jetë prezent në të gjjtha sferat e jetës institucionale në Kosovë! Me 9 Shkurt kundër totalitarizmit neokomunist. Me 9 Shkurt voto me mendje dhe arsye, jo me fanatizëm”, thuhet në reagim.
Koalicioni për Familje është gjobitur me 4 mijë e 500 euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për përdorimin e gjuhës së urrejtjes kundër komunitetit LGBTI+.
Kjo gjobë ka ardhur pas ankesës së paraqitur nga CEL Kosova dhe Dylberizm kundër Koalicionit për Familje, për shkak të nxitjes dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes.