Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka paralajmëruar përsëri se mund t’i përdorë armët bërthamore në konflikte të mundshme me Korenë e Jugut dhe me Shtetet e Bashkuara, raportuan mediat shtetërore të martën.
Ai i akuzoi këto dy vende se po e provokojnë Korenë e Veriut dhe se po i rrisin armiqësitë në Gadishullin Korean.
Kimi ka bërë disa herë kërcënime të ngjashme për përdorimin e armëve bërthamore për parandalimin e sulmeve kundër vendit të tij, por paralajmërimi më i ri vjen në një kohë kur ekspertët e jashtëm thonë se Koreja e Veriut mund t’i rrisë armiqësitë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA muajin e ardhshëm.
Gjatë një fjalimi të hënën në një universitet që mban emrin e tij, Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare Kim Jong Un, ai tha se Koreja e Veriut “do t’i përdorë pa asnjë ngurrim të gjitha armët sulmuese kundër armiqve të vet”, nëse ata përpiqen t’i përdorin forcat e armatosura kundër Koresë së Veriut, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Veriut, KCNA.
“Në këtë rast, nuk përjashtohet as mundësia për përdorimin e armëve bërthamore”, shtoi ai.
Kimi tha se qëndrimi bërthamor i Koresë së Veriut duhet të përmirësohet plotësisht, sepse Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta forcojnë aleancën e tyre ushtarake bazuar në planifikimin e përbashkët bërthamor dhe strategjik, një veprim që ai tha se do të rrisë rrezikun e prishjes së ekuilibrit të pushtetit në Gadishullin Korean.
Duket se ai iu referua udhëzimeve të reja mes Koresë së Jugut dhe SHBA-së për parandalimin e sulmeve, që këto dy vende i nënshkruan në korrik, për t’i integruar armët konvencionale të Koresë së Jugut me armët bërthamore të SHBA-së, për t’u përballur më mirë me kërcënimet e vazhdueshme që vjinë nga Koreja e Veriut.
Koreja e Jugut nuk ka armë bërthamore.
Prej se e miratoi një doktrinë agresive bërthamore në vitin 2022, Koreja e Veriut është zotuar në mënyrë të përsëritur se do t’i përdorë armët bërthamore e para, nëse e parashikon se udhëheqësia e Penianit është e rrezikuar.
Por, shumë ekspertë dyshojnë nëse Koreja e Veriut mund ta bëjë vërtet këtë, pasi forcat e saj ushtarake janë mëtë dobëta se ato të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
Zyrtarët e SHBA-së dhe të Koresë së Jugut kanë paralajmëruar se një përpjekje e Koresë së Veriut për të përdorur armë bërthamore do të kishte për pasojë fundin e Qeverisë së Kimit.
Tensionet në Gadishullin Korean janë thelluar në javët e fundit, me Korenë e Veriut që ka zbuluar një objekt për prodhimin e uraniumit të gradës ushtarake, një përbërës bërthamor, dhe ka vazhduar një sërë testimesh raketore.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tha se zbulimi nga Koreja e Veriut i këtij objekti bërthamor ishte ndoshta një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e SHBA-së para zgjedhjeve presidenciale të muajit të ardhshëm, dhe se Veriu ka gjasa të bëjë provokime të mëdha, si për shembull, testimin e një shpërthimi bërthamor dhe testimin e raketave me rreze të gjatë.
Shumë analistë thonë se Koreja e Veriut ka të ngjarë të përdorë arsenalin e saj të zgjeruar bërthamor për të fituar lëshime nga SHBA-ja, si për shembull lehtësimin e sanksioneve, pasi të inaugurohet administrata e re në SHBA./REL