Gazetarja Kimete Berisha, e cila në këtë mandat është prej kritikueseve më të ashpra të kryeministrit Albin Kurti, sot e ka takuar shefin e qeverisë.
Madje, Berisha ka postuar edhe një fotografi me Kurtin, e cila është realizuar në ndejën e fundvitit që Qeveria ka organizuar me gazetarë.
Në profilin e saj në “Facebook”, Berisha ka shkruar se ndihet mirë që askush nuk i hidhërohet për shkak të shkrimeve.
“Ajo që më së shumti më magjeps në punën time është që “Askush s’ hidhërohet nga shkrimet e mia”. – Në fillim kam menduar që s’hidhërohen sepse s’më marrin seriozisht, e tash vonë e kam kuptuar se nuk hidhërohen pikërisht pse më marrin seriozisht. Një shkrimtar i ndjerë më ka pas thënë: “Shkrimi që më së shumti më ka pëlqyer në jetë është shkrimi që e ke shkruar kundër meje”. Titulli i atij shkrimi është “Nëna që më deshi pak”. Kurrë shkrimin nuk e kam shfrytëzuar për hakmarrje, se të ishte ashtu do të dija të shkretëroja shumë rëndë….”, ka shkruar Berisha.