Numri i ukrainasve që po kthehen në kryeqytetin Kiev të vendit, ka nisur të rritet ditëve të fundit pasi lufta e nisur nga Rusia kundër Ukrainës më 24 shkurt (2022) është përqendruar veçanërisht në rajonin e Donbasit.
“Banorët e Kievit kanë filluar të kthehen në shtëpitë e veta pas largimit të tyre për në vende më të sigurta që kur Rusia filloi luftën”, tha të enjten Klitschko duke folur për masat e sigurisë në kryeqytetin ukrainas.
Pasi vuri në pah se aktualisht ka 2,1 milionë njerëz në Kiev, Vitali Klitschko theksoi se kryeqyteti po i kthehet gradualisht jetës normale, sepse shumica e banorëve janë kthyer.
“Megjithatë duhet të merret parasysh se Kievi është nën kërcënimin e sulmeve me raketa”, paralajmëroi kryebashkiaku duke u kërkuar banorëve ende në vende më të sigurta që të mos nxitojnë për t’u kthyer në shtëpi.
Klitschko tha se ata po bëjnë të pamundurën për të ofruar shërbimet e nevojshme për banorët, përfshi këtu edhe zgjatjen e orarit të punës së metrosë.
“Jo të gjitha urat janë të hapura për trafik. Edhe pse janë hequr disa prej barrikadave që ishin vendosur më parë në bulevarde e rrugë, qyteti ka ende shumë barrikada të nevojshme për mbrojtjen dhe sigurinë”, shtoi ai.
Në Kiev, ku tingujt e sirenave kanë filluar të shtohen sërish javën e fundit, nga njëra anë bie në sy se trafiku i automjeteve është intensifikuar dhe nga ana tjetër se hapësirat mes barrikadave të vendosura në bulevarde e rrugë janë zgjeruar, ndërsa disa prej barrikadave janë hequr plotësisht në lagjet periferike.
“Jeta normale po kthehet gradualisht në kryeqytet. Ne kemi zgjeruar hapësirat ndërmjet barrikadave në disa vende për të lehtësuar trafikun rrugor dhe kalimin e automjeteve. Sidoqoftë, ne jetojmë në një situatë lufte, kështu që barrikadat do të mbeten. Disa barrikada janë hequr tërësisht, por disa do të mbeten”, u shpreh kryebashkiaku i Kievit.
Pasi u rikujtoi kryeqytetasve se lufta në Ukrainë vazhdon, Vitali Klitschko tha se bustet e statujat përpara shtëpive të artit dhe kishave në Kiev, të cilat u mbuluan me thasë rëre e dërrasa në mars, mbeten ende nën mbrojtje.