Zyra e Kryeministrit sot ka publikuar vendimet e marra në mbledhjen e djeshme të Qeverisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës dje ka zhvilluar mbledhje të rregullt, në të cilën ka:
Ndër vendimet që janë marrë dje është miratimi i projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë Ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, e cila bëhet e ditur se lidhet drejtpërsëdrejti me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë. Gjithashtu kjo marrëveshje ndërlidhet edhe me bashkëpunimin bilateral mes Republikës së Kosovës me vende partnere.
Në mbledhjen e djeshme po ashtu u miratua Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore, i cili ka për qëllim përcaktimin e statusit të provimit të Maturës shtetërore në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës; Përcaktimin e përmbajtjes, kushteve dhe mënyrës së organizimit të provimit të Maturës shtetërore dhe të drejtat e kandidatëve; Përcaktimin e strukturave përgjegjëse dhe kompetencat e tyre për organizimin e provimit të Maturës shtetërore. Ky Projektligj ka rëndësi të madhe në ngritjen e një procesi të drejtë e të sigurt për vlerësimin objektiv të arritjeve të maturantëve.
Është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve në Kosovë, i cili përcakton masat dhe veprimet që kërkohen të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse në nivel qendror dhe lokal, si dhe përgjegjësinë e institucioneve përkatëse lidhur me parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijës. Ky Udhëzim Administrativ në mënyrë specifike kategorizon punët të cilat janë të ndaluara dhe të rrezikshme për zhvillimin normal të fëmijëve.
Këto janë të gjitha vendimet që u morën dje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës:
– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë Ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë, sepse njëra nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë. Gjithashtu kjo marrëveshje ndërlidhet edhe me bashkëpunimin bilateral mes Republikës së Kosovës me vende partnere.
– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Ferizaj. Objektivi kryesor i këtij projekti është ndërtimi i një impianti të ri të trajtimit të ujërave të zeza dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujërave të zeza në Ferizaj dhe në Kaçanik
– Miratuar Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, i cili ka për qëllim përcaktimin e statusit të provimit të Maturës shtetërore në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës; Përcaktimin e përmbajtjes, kushteve dhe mënyrës së organizimit të provimit të Maturës shtetërore dhe të drejtat e kandidatëve; Përcaktimin e strukturave përgjegjëse dhe kompetencat e tyre për organizimin e provimit të Maturës shtetërore. Ky Projektligj ka rëndësi të madhe në ngritjen e një procesi të drejtë e të sigurt për vlerësimin objektiv të arritjeve të maturantëve.
– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentimit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020. Qëllimi i amendamentimit të kësaj marrëveshjeje është shtyrja për dy vite e afatit për zbatimin e marrëveshjes, për të siguruar zbatimin e suksesshëm të projekteve, të cilat kanë pësuar ndryshime në modalitetet e zbatimit.
– Miratuar Rregulloren për Stemën dhe Vulën e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm dhe Organeve Inspektuese si dhe për Dokumentin e Identifikimit të Inspektorëve të Republikës së Kosovës. Çështjet kryesore të trajtuara me këtë Projekt-rregullore janë forma, përmbajtja, pajisja dhe mënyra e përdorimit të stemës dhe vulës nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm dhe organeve inspektuese. Gjatë hartimit të kësaj Projekt-rregulloreje janë konsultuar praktikat më të mira ndërkombëtare, atyre të vendeve fqinje dhe të Bashkimit Evropian.
– Miratuar Udhëzimin Administrativ për Përmbajtjen e Procesverbalit të Inspektimit. Çështjet kryesore të trajtuara me këtë Projekt-udhëzim Administrativ janë përcaktimi i normave për informatat e hollësishme në lidhje me veprimet, gjetjet dhe vendimet procedurale të marra gjatë inspektimit.
– Miratuar Udhëzimin Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve në Kosovë, i cili përcakton masat dhe veprimet që kërkohen të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse në nivel qendror dhe lokal, si dhe përgjegjësinë e institucioneve përkatëse lidhur me parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijës. Ky Udhëzim Administrativ në mënyrë specifike kategorizon punët të cilat janë të ndaluara dhe të rrezikshme për zhvillimin normal të fëmijëve.
– Miratuar Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028. Ky program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe reformave të tjera për integrim në Bashkimin Evropian. Këto reforma mbulojnë fushat e kritereve politike, atyre ekonomike dhe të standardeve evropiane të njohura si kapitujt e Acquis-së së BE-së. Hartimi i Programit është udhëhequr nga departamentet për integrim evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si institucioni kryesor koordinues, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse për secilin kapitull.
– Miratuar Deklaratën së Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2025-2027, të cilat janë paraqitur në mënyrë specifike të strukturuara sipas shtyllave të Strategjisë dhe Planit Kombëtar për Zhvillim dhe sipas sektorëve të politikave po ashtu të definuara në kornizën strategjike.
– Ndarë 4,000,000 milionë euro (katër milionë euro) për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Pas thirrjes publike të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, të cilët janë në gjendje të rëndë sociale e me kushte të rënda banimi, MAPL ka bërë kërkesë për ndarjen e mjeteve shtesë në vlerë prej 4 milionë euro, të cilat do të përdoren për subvencionimin 100%, të ndërtimit të shtëpive për qytetarët tanë në katër komunat veriore.
– Themeluar Grupin Punues Ndërinstitucional, për përgatitjen e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës, në EXPO 2025/Osaka, në këtë përbërje:
1. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kryesues;
2. Ministria e Ekonomisë, anëtar;
3. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtar;
4. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;
5. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, anëtar.
– Themeluar Këshillin për Siguri në Trafikun rrugor cili krijon politikat lidhur me sigurinë rrugore, koordinimin e të gjitha institucioneve që merren më sigurinë rrugore, në këtë përbërje:
1. Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kryesues;
2. Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtar;
3. Ministri i Ministrisë së Drejtësisë, anëtar;
4. Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë – anëtar;
5. Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtar;
6. Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;
7. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, anëtar;
8. Kryesuesi i Asociacionit të Komunave, anëtar; dhe
9. Përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, anëtar.
– Miratuar Vendimin Përfundimtar për shpronësim shtesë për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë-Bresalc, Zona Kadastrale: Zhegovc, Komuna Gjilan.
– Miratuar Vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish shoqërore P. Sh. “Progres” e cila preket nga realizimi i Projektit: “Ndërtimi i Qendrës së Paraburgimit dhe Institucionit Korrektues në Prizren” për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.
– Përditësuar e Listën Shtetërore Strategjike për Mallra me Përdorim të Dyfishtë.
– Miratuar Planin Strategjik për Zhvillimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor 2024-2030, i cili ka për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të Informimit shëndetësor në Kosovë. Marrë parasysh ngecjet e vazhdueshme, ne kemi trajtuar këtë fushë me kujdes të shtuar duke mundësuar fillimisht vlerësimin gjithëpërfshirës të sistemit të informimit shëndetësor, përmes studimit të fizibilitetit, i finalizuar në fund të vitit të kaluar, i hap rrugë synimeve dhe orientimit tonë strategjik të zhvillimit, funksionalizimit dhe integrimit të sistemit të informimit shëndetësor.
– Miratuar Koncept-dokumentin për Fushën e Aviacionit Civil. Përmes tij synohet rritja e sigurisë se fluturimeve në aviacionin civil dhe rregullimi adekuat i transportit ajror.
– Miratuar Koncept-dokumentin për Produktet për Mbrojtjen e Bimëve. Ky koncept-dokument parashikon krijimin e kornizës së rregullave transparente, gjithëpërfshirëse e të qarta, të bazuar në qeverisjen e mirë, dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të fokusuar në masat parandaluese afatgjate për produktet për mbrojtjen e bimëve.
– Miratuar programin për performancë të lartë sportive “Super Sportistët” i cili ka për qëllim mbështetjen e qëndrueshme të sportistëve të Republikës së Kosovës përgjatë karrierës së tyre aktive, duke u përqendruar tek sportistët me potencial të lartë për të arritur suksese në arenën ndërkombëtare sportive. Ndër vite, sportistët kanë qenë motori i ndërtimit të imazhit pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për këtë, për herë të parë, kemi krijuar program i cili i kushton vëmendje dhe mbështetë sportistët përgjatë rrugëtimit të tyre për rezultate dhe suksese.
Në këtë mbledhje Kabineti Qeveritar është Informuar edhe për Raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të kuvendeve të komunave për periudhën janar – dhjetor 2023, si dhe për Raportin për Funksionimin e Komunave për Vitin 2023.