Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar nga puna sot një toger dhe një rreshtere të Policisë së Kosovës, për moszbatimin e urdhëresës për arrestimin e Rejhan Belës, i dyshuar për vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika, në fillim të muajit prill në Kaçanik.
Gazeta online Reporteri.net merr vesh se të suspenduarit janë J.J me gradën toger dhe J.K, rreshtere.
Për suspendimin e tyre ka njoftuar edhe IPK përmes një komunikate.
Në komunikatën e IPK-së thuhet se një toger ka qenë në dijeni dhe s’ka ndërmarrë veprime konkrete për arrestimin e të dyshuarit, ndërsa një rreshter ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj.
“Hetuesit e IPK-së, bazuar në kompetencat ligjore sipas detyrës zyrtare ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore paraprake lidhur me veprimet policore për zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit R. B ((i dyshuar lidhur me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika). Nga veprimet paraprake hetimore të ndërmarra dhe komunikimet zyrtare të pranuara, ekziston dyshimi i arsyeshëm se deri në këtë fazë të hetimit, dy zyrtarë policorë kanë dështuar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit të dyshuar R.B”.
“Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar. Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore dyshohet se një rreshter policor i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë ndërlidhëse për gjykata, ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj”,
Që të dy zyrtarët policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre kanë qenë të angazhuar me detyrë në stacionin policor të Kaçanikut.
“IPK vlerëson se dështimi i tyre në zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, cenon besueshmërinë institucionale dhe përbën bazë për procedim disiplinor dhe hetim të mëtejmë administrativ dhe penal”, thuhet në komunikatën e IPK-së.