Deputetja e PDK-s, Ariana Musliu Shoshi deklaroi sot se ministrja Gërvalla harxhoi 86 mijë euro për një udhëtim, raporton Demos.
E këshilltari i ministrës Gërvalla, Leutrim Sahiti i reagoi deputetës së PDK-së.
”Znj. Shoshi, për dallim nga bashkëpartiakët tuaj, këto shpenzime nuk janë bërë për darka e dreka luksoze, me mish e birra, raki e verëra, as për hotele të shtrenjta dhe as për bileta biznes”, shkroi Sahiti ndër tjerash në reagimin e tij.
Reagimi i plotë:
Deputetja Shoshi paska vazhduar me shpifje e manipulim të opinionit publik.
Lista që ajo ka publikuar është lista e shpenzimeve që kabineti i Zëvendëskryeministres dhe Ministres Donika Gërvalla bashkë me delegacionin e Kosovës ka bërë gjatë pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara në Nju Jork, aty ku mblidhen shtete nga gjithë bota dhe ku realizohen takime bilaterale dhe multilaterale.
Pra, nuk bëhet fjalë për një udhëtim, por për një qëndrim të gjatë ku janë realizuar mbi 30 takime bilaterale, dhjetëra multilaterale dhe janë nënshkruar disa marrëveshje ndërshtetërore.
Qasjen në këto shpenzime e kemi lejuar si Ministri për transparencë të plotë sepse nuk kemi asgjë për të fshehur.
Znj. Shoshi, për dallim nga bashkëpartiakët tuaj, këto shpenzime nuk janë bërë për darka e dreka luksoze, me mish e birra, raki e verëra, as për hotele të shtrenjta dhe as për bileta biznes.
Këto shpenzime janë minimale në krahasim me çmimet reale të akomodimit dhe fluturimit për në Nju Jork gjatë asaj periudhe.
Znj. Shoshi paska harruar ta lexojë në fund të listës në Excel që kabineti i Ministres Gërvalla, gjatë qëndrimit në Nju Jork, vetëm në akomodim i ka kursyer buxhetit të Kosovës rreth 80 mijë euro.
Kjo, siç duket, po i dhemb znj. Shoshi, sepse për buxhet këta janë kampionë të shpenzimeve dhe keqpërdorimeve që qytetari i Kosovës i di shumë mirë.
Koha kur kemi qenë të vjedhur, të mashtruar, të poshtëruar, të izoluar e të keqqeverisur ka përfunduar me përfundimin tuaj të dhimbshëm në 2021.