Analisti serb, Branislav Kërstiq ka thënë se në Veri ende ka serbë që nuk janë zgjuar nga realiteti.
Ai shtoi se këta serbë mendojnë që Millosheviqi edhe më tutje është i gjallë.
Kërstiq këto grupe i etiketoi si radikale nacionaliste.
“Ne e kemi 20% e njerëzve të veriut nuk janë zgjuar, ata mendojnë se edhe Slobodan Millosheviq është ende gjallë, ai është realiteti atje. Po flas për grupet radikale e nacionaliste. Në anën tjetër e kemi një lloj të elitës ku numri i tyre është shumë i vogël. Në bazë ditore, njerëzit po i ikin nga Kosova”, tha Branislav Kërstiq në Kanal10.
Video e plotë KËTU
Kujtojmë se sot, presidenti i Serbisë lëshoi urdhër që ushtria të ishte në gatishmëri dhe të ngriste nivelin e gatishmërisë ushtarake në mënyrë që t’i përgjigjej çdo detyre.
Në anën tjetër, Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, vizitoi kazermën ushtarake në Rashkë.
Me të në Rashkë ishte edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq.
“Jemi siguruar që gjendja në njësitë e Forcave të Armatosura të Serbisë të jetë në nivel të lartë, të jenë të përgatitura, të stërvitura, të pajisura, që morali të jetë në nivelin më të lartë… dhe që të jenë të gatshëm, të aftë dhe të trajnuar për të kryer çdo detyrë dhe çdo urdhër të Presidentit të Republikës dhe të Komandantit të Përgjithshëm dhe të udhëheqjes shtetërore”, deklaroi Vuçeviq.
Jo shumë larg Rashkës, Policia e Kosovës në vendkalimin në Jarinjë po zbaton fazën e parë të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.