Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar pasi organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletëarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq dhe të tjerëve, lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Kearns ka thënë se Radojiçiq tashmë është rrëfyer dhe se duhet të ekstradohet në Kosovë me bashkëpunëtorët e tij për t’u përballur me drejtësinë.
“Interpoli ka lëshuar një njoftim të kuq për Milan Radoiçiqin dhe të tjerët që qëndrojnë pas sulmit terrorist në Banjskë dhe vrasjes së policit kosovar Afrim Bunjaku. Radoiçiq tashmë e ka rrëfyer dhe duhet të ekstradohet në Kosovë me bashkëpunëtorët e tij për t’u përballur me drejtësinë”, ka shkruar Kearns.
Interpol has issued a red notice for Milan Radoicic and others behind the Banjska terror attack and murder of Kosovan Police Officer Afrim Bunjaku.
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) December 8, 2023
Radoicic has already confessed and must be extradited to Kosovo with his accomplices to face justice.https://t.co/ZzyecsvojB
Ndryshe, lajmin për fletëarrestimin e ka konfirmuar Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, fletarrestimet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.