Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, tha se procesi i konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar për shkak të mosvotimit të kandidaturës së propozuar nga Lista Serbe për pozitën e nënkryetarit dhe se në këtë proces janë bërë shkelje procedurale dhe kushtetuese.
Ai paralajmëroi se situata mund të prodhojë bllokadë të re politike dhe të çojë çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.
Ai tha për Ekonomia Online se shkelja e parë ka të bëjë me mosrespektimin e nenit 67, paragrafi 4 i Kushtetutës, sipas të cilit fillimisht e drejta e propozimit duhet t’i jepet partisë që përfaqëson komunitetin serb.
“Konstituimi i Kuvendit ende nuk ka përfunduar për faktin që ka mbetur peng votimi për çështjen e nënkryetarit të propozuar nga subjekti politik që përfaqëson komunitetin serb, Lista Serbe. Edhe pse katër herë radhazi ai u propozua nga partia Lista Serbe, megjithatë deputetët e Kuvendit të Kosovës hezituan që ta votonin dhe hezituan ta zgjedhin një nënkryetar të propozuar nga ky subjekt politik. Personalisht vazhdoj të kem bindjen që janë kryer disa shkelje procedurale e kushtetuese ditën e djeshme me rastin e procedurës së propozimit dhe votimit të kandidatëve për anëtarë të kryesisë nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Shkelja e parë, mendoj që kryetari i Kuvendit do të duhej që sipas radhitjes, siç përcaktohet në paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës, fillimisht t’i jepet e drejta e propozimit të partisë që përfaqëson së pari komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe më pas kandidatura e dytë të vijë nga partitë e komuniteteve të tjera që janë jo shumicë. Dhe çka ndodhi dje, kryetari e zhvilloi një procedurë që ishte ,për mendimin tim, tërësisht me praktikën e deritanishme parlamentare në Kosovë dhe në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit dhe procedurën e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës sa i përket mënyrës së propozimeve dhe mënyrës së votimit të anëtarëve të partive për kryesi të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë”, tha ai.
Bugaqku shtoi se procedura e votimit është devijuar nga praktika dhe është zëvendësuar me short, duke krijuar hapësirë për manipulim.
“Ka qenë e qartë procedura, sikurse është aplikuar për tre nënkryetarët e parë, e njëjta do të duhej që edhe procedura e votimit të aplikohej edhe për dy nënkryetarët e partive të komuniteteve jo shumicë dhe në pako të dy procedurat të votoheshin dhe me 61 vota të zgjidheshin edhe kandidaturat që propozohen nga radhët e komunitetit serb. Kjo nuk ndodhi dje. Një shkelje tjetër që unë vlerësoj është fakti që kryetari i Kuvendit imponoi të themi një procedurë të përcaktimit dhe të zgjedhjes së anëtarit të komunitetit serb në kryesi të Kuvendit nëpërmjet shortit. Rregullorja e punës së Kuvendit në nenin 12 tek paragrafi 6 pika 1 dhe 2 specifikon qartë që propozimi për anëtar të kryesisë së Kuvendit ose për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb duhet të vijë nga partia që ka siguruar shumicën e ulëseve të këtij komuniteti në Kuvendin e Kosovës, që i bie domosdo duhet të jetë propozim që vjen nga Lista Serbe”, tha ai.
Ai akuzoi kryetarin e Kuvendit se me procedurën e shpejtuar ka synuar të manovrojë për të favorizuar deputetin Nenad Rashiq.
Ai tha se domosdo do të duhej që të lejohej që procedura për propozimin e nënkryetarit nga Lista Serbe të aplikohej dhe rrjedhimisht t’i nënshtrohej procedurës së votimit.
“Me vetë faktin që e përshpejtoi procedurën dhe insistonte që të kalonte në short, unë besoj që pati qëllim që të manovrohet procedura e zgjedhjes së anëtarit të kryesisë nga Lista Serbe në atë mënyrë që t’i jepet mundësia që eventualisht t’i vijë radha nëpërmjet shortit të zgjidhet deputeti Nenad Rashiq i partisë së tij që ka vetëm një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Kjo parti nuk është shumicë serbe që përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, ai është një kandidat dhe ka një ulëse. Madje ai edhe u vetëpropozua si anëtar i kryesisë së Kuvendit, ligjërisht nuk lejohet sepse kandidaturat për anëtar të kryesisë gjithmonë propozohen nga partitë parlamentare që i plotësojnë kushtet sipas Kushtetutës. Kushtetuta përcakton, tre nënkryetarët e parë propozohen nga tri partitë më të mëdha parlamentare. Kurse për nënkryetarët e komuniteteve jo serbe propozohen në frymën e ngjashme edhe për çështjen e nënkryetarëve që vijnë nga radhët e komuniteteve. Domosdo do të duhej që të lejohej që procedura për propozimin e nënkryetarit nga Lista Serbe të aplikohej dhe rrjedhimisht t’i nënshtrohej procedurës së votimit”, ka theksuar ai.
Sipas Bugaqkut, në seancën e ardhshme duhet të përsëritet votimi për nënkryetarët e pakicave, duke u nisur nga kandidatura e Listës Serbe dhe më pas me kandidatët e komuniteteve tjera jo shumicë, ashtu siç ka qenë praktika e deritanishme.
Ai e ka quajtur të pakuptueshme shmangien nga kjo procedurë dhe ka vlerësuar se pas kësaj qëndron një përpjekje për të përjashtuar Listën Serbe nga pjesëmarrja në jetën institucionale të vendit.
“Për t’u sanuar kjo procedurë ta themi jo kushtetuese e emërimit, propozimit dhe votimit të anëtarëve të kryesisë së Kuvendit që vijnë nga radhët e komuniteteve, kryetari i Kuvendit duhet që në seancën e radhës të zhvillojë përsëri procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit që vijnë nga radhët e komuniteteve dhe ashtu siç ka qenë gjithmonë sipas praktikave të deritanishme dhe sipas asaj që përcaktohet në Kushtetutë dhe në rregullore të punës së Kuvendit, fillimisht të propozohet kandidatura e partisë e cila përfaqëson komunitetin serb dhe pastaj të propozohet edhe kandidatura e partive të tjera jo shumicë në Kuvend, sepse kështu ka qenë gjithmonë dhe gjithmonë është ndjekur kjo deri ditën e djeshme. Është e paqartë dhe e pakuptueshme pse po eskivojnë procedurën, pse po e keqinterpretojnë çështjen e konstituimit të Kuvendit për sa i përket zgjedhjes së anëtarëve të kryesisë nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Duket e qartë se ata dëshirojnë që të përjashtojnë Listën Serbe nga çdo lloj pjesëmarrjeje në jetën institucionale në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se pa reflektim të partive shqiptare bllokada mund të thellohet.
Sipas Bugaqkut, nëse refuzimi i kandidaturës së Listës Serbe vazhdon, atëherë kjo parti ka bazë ligjore ta dërgojë rastin në Kushtetuese.
“Besoj që po hyjmë në një fazë të re të bllokadës politike dhe procedurale të konstituimit të Kuvendit dhe unë mendoj për faktin që nëse partitë politike shqiptare në kuptim e zbatimit të Kushtetutës nuk reflektojnë dhe nuk japin votë që të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit që vjen nga radhët e partisë që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, kjo çështje ka mundësi që shkakton përsëri zvarritje. Por mund të shkaktoj edhe një interpretim të ri të Gjykatës Kushtetuese. Unë besoj që nëse edhe nesër edhe në seancën e radhës nuk arrihet të votohet kandidatura e propozuar nga Lista Serbe, atëherë ata kanë mundësi që çështjen ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe ta pyesin Gjykatën Kushtetuese nëse kjo procedurë, siç po aplikohet tani nga kryetari i ri i Kuvendit, cenon apo jo të drejtat e përfaqësimit të komunitetit serb në kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe rrjedhimisht ata kanë shumë lehtë të argumentojnë kërkesën në bazë të praktikës së deritanishme parlamentare”, tha Bugaqku.