Sot, më 4 shtator, janë bërë katër vjet nga Marrëveshja e Washingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.
Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.
Kjo marrëveshje u zbatua vetëm pjesërisht.
Në dokumentin e marrëveshjes parashiheshin edhe disa projekte infrastrukturore, përfshirë atë që quhet “Autostrada e Paqes”, Beograd-Prishtinë, si dhe përmendet edhe çështja e Liqenit të Ujmanit, që gjendet në territorin e Kosovës dhe prekë atë të Serbisë.
Si rrjedhojë e kësaj marrëveshjeje Izraeli dhe Kosova shkëmbyen njohje të ndërsjellë, kështu që më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem.