Policia franceze po merr në pyetje një burrë nën dyshimin për vrasje pasi katër trupa u gjetën në lumin “Seine” pranë Parisit, shkruan BBC.
Viktima e parë u vu re nga një kalimtar pranë një ure në Choisy-le-Roi, në periferi juglindore e kryeqytetit, më 13 gusht.
Më vonë atë ditë, policia që po kërkonte në zonë zbuloi edhe tre trupa të tjerë të zhytur aty afër.
Prokurorët thonë se njëra prej viktimave ishte mbytur dhe një tjetër tregonte shenja të dhunës. I dyshuari po mbahet në Paris, ndërsa Policia nuk ka dhënë detaje për të dhe as për sa vrasje po merret ai në pyetje.
Trupi i parë kishte vetëm pak kohë që ndodhej në ujë dhe u identifikua si një burrë 40-vjeçar vendas, thanë prokurorët.
Prokurorët theksuan se deri tani nuk ka prova për një lidhje mes viktimave. Ata mund të jenë zhytur në vende të ndryshme më në rrjedhë të sipërme dhe janë sjellë nga rryma në këmbët e urës së Choisy-t.