Lidhja Demokratike e Kosovës e ka zyrtarizuar sonte kandidaturën Kastriot Shabanit për kryetar të Shtimes.
“Ky është një rrugëtim i ri, për t’i dhënë Shtimes drejtimin që e meriton me vizion, punë të ndershme dhe dashni”, ka shkruar Shabani në Facebook.
Ai, po ashtu ka theksuar se 12 tetori është dita kur së bashku do të hapet kapitulli i ri, duke nisur rrugëtimin e përbashkët për një komunë më të zhvilluar dhe më të bashkuar.
“Unë jam i gatshëm t’i prij ndryshimit, me një ekip të përkushtuar e profesional, si dhe me një plan të detajuar për zhvillim e mirëqenie, të cilin do ta prezantoj ditëve në vijim”, ka shtuar ai.
Këtë ditë, ai e ka quajtur një moment vendimtar për të ardhmen e përbashkët. “Ju ftoj të jemi bashkë, si gjithmonë me zemër, me vullnet dhe me dashni për komunën tonë.
Zëri juaj do të jetë themeli i kësaj rruge”, ka shkruar Shabani, i cili garon për të parin e komunës së Shtimes nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale që janë caktuar të mbahen më 12 tetor të këtij viti.