Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati ka thënë se në drejtim të Kosovës po ndodhë një luftë hibride.
Ai tha se kjo luftë hibride po bëhet nga Serbia, pasi ajo nuk guxon që t’ia mësyj ushtarakisht Kosovës, sepse do të hynte në luftë me NATO-n.
“Lufta hibride është duke ndodhur në drejtim të Kosovës. Serbia ushtarakisht nuk guxon t’ia mësyjë Kosovës sepse do të hynte në luftë me NATO-n, por Serbia është maksimalisht e angazhuar që nëpërmjet terroristëve që është duke i trajnuar rreth Kosovës në krye me Radoiçiqin, nëpërmjet spiunazhit, serbëve që e dinë gjuhën shqipe mirë, nëpërmjet shqiptarëve dhe akoma janë të angazhuar për t’i shërbyer BIA-s”.
“Pasi e eliminojmë që Serbia nuk mund ushtarakisht ta rrezikojë Kosovën, fokusi ynë do të duhej të ishte maksimal në rend të parë në Policinë e Kosovës në veri, në inteligjencë, sepse konceptet e reja nuk ka më me ushtri të sulmojnë, por me inteligjencë”, tha Kastrati në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se nëse inteligjenca kosovare nuk i zbulon rastet me kohë dhe dikush “na vjen deri në Prishtinë, atëherë është shumë e vështirë që ta parandalojmë që ai të kryej vepra terroriste apo vepra të tjera që i ka marrë nga urdhërdhënësi”.