Gjyqi i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, kishte filluar më 12 shkurt të vitit 2002, në gjykatën e krimeve të luftës të Kombeve të Bashkuara në Hagë, nën akuzat për krime lufte në Kosovë, Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje e Hercegovinë.
Fjala e tij hyrëse ishte shumë e gjatë dhe zgjati disa ditë. Në fjalën e tij hyrëse, njeriu i cili mbi supet e tij barti krimet më monstruoze, më së shumti e targetoi drejtuesin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin.
Akuza, shpifje, mallkime e fyerje, të gjitha në një drejtim si në askënd tjetër, krimineli Millosheviq kishte nisur sulmet ndaj Hashim Thaçit.
Ai e portretizoi Thaçin si armikun numër një të tij dhe të Serbisë.
“Kam këtu një numër urdhërarrestesh për vrasës të dënuar, por nuk kam kohë t’i shqyrtoj. Numri 1 është Hashim Thaçi, i cili është dënuar me burgim për një numër të madh vrasjesh“, tha Millosheviq më 15 shkurt të vitit 2002.
Në vazhdën e këtij fjalimi, Millosheviq kërkoi dënimin e gjeneralit Clark dhe sekretares Albright, pasi sipas tij bashkëpunuan ngushtë dhe kishin lidhje të thella me UÇK-në, të cilës Millosheviq i referohet vazhdimisht me termin “terroristët”.
Akuzat ndaj Thaçit, të cilat përsëriten edhe sot nga njerëzit, grupet dhe shtetet jodashamirëse ndaj Kosovës, duket se e kanë burimin në strategjinë e Millosheviqit për ta njollosur atë.
Për dallim nga raportet e CIA-s, DASH-it dhe NATO-s, të cilat lartësuan figurën e Thaçit, strategjia e Millosheviqit për ta përlyer figurën e tij kishte nisur.
Gjatë seancës gjyqësore, Millosheviq tregoi edhe një fotografi të gjeneralit Clark, Hashim Thaçit dhe Agim Çekut.
“Për ta ilustruar këtë, a mund ta tregoja dhe ta zmadhoja këtë fotografi, sepse shihni njerëz që mbajnë duart e tyre të shtrënguara së bashku si kjo. Ata janë Wesley Clark, Hashim Thaçi, Agim Çeku, vrasës dhe kriminelë. Dhe kjo fotografi simbolizon aleancën e një organizate të komanduar nga Clark. Clark së bashku me terroristët shqiptarë në terren, një aleancë, pasojat e së cilës janë gjithçka që ju kam lexuar deri më tani“, kishte thënë ai me një frustrim të madh.
Millosheviq ishte marrë edhe me konferencën e Rambujesë. Atë e kishte irrituar fakti se Hashim Thaçi ishte drejtues i delegacionit të Kosovës. Ai madje kishte konstatuar fitoren e Thaçit në shkurt të 1999.
“Pra, me ndihmën e tyre në shkurt të vitit 1999, fraksioni i Thaçit fitoi“, kishte deklaruar Millosheviq. /Demokracia.com/