Një nga karvanët më të mëdhenj të të gjitha kohërave me emigrantë, po bën rrugën drejt kufirit të SHBA-së, pikërisht kur presidenti Biden shkon në Samitin e Amerikave në Los Anxhelos.
Karvani që tani ka rreth 11,000 persona u nis të hënën nga Tapachula në kufirin Meksikë-Guatemala dhe pritet të rritet deri në 15,000.
Shumë nga emigrantët janë nga Venezuela, Kuba dhe Nikaragua, tre vende, sundimtarët autoritarë të të cilave janë lënë jashtë samitit të kësaj jave.
Emigrantë të tjerë në karvan vijnë nga Haiti, Guatemala, Hondurasi, El Salvador dhe madje edhe nga India, Bangladeshi dhe disa vende afrikane.
Karvani po bën rrugën drejt veriut ndërsa administrata Biden po lufton në gjykatë për t’i dhënë fund Titullit 42, kufizimi i Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) të epokës së pandemisë që lejon agjentët kufitarë të dëbojnë shpejt emigrantët. Kjo politikë që u zbatua për herë të parë, lejoi dëbimin e pothuajse 2 milionë emigrantëve.
Administrata e Biden ka theksuar se CDC ka autoritetin për t’i dhënë fund Titullit 42 sepse është një urdhër i shëndetit publik, jo një urdhër imigrimi, por si demokratët ashtu edhe republikanët i kanë bërë thirrje administratës që të rimendojë këtë çështje.
Ndërkohë, zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) kanë thënë se pasi të hiqet Titulli 42, presin deri në 18,000 migrantë në ditë.
Udhëheqësit botërorë që marrin pjesë në samitin me Biden pritet të diskutojnë ‘zgjidhjet rajonale për problemet rajonale’, përkatësisht, çështjen e imigracionit që ka penguar popullaritetin e Bidenit.