Pacientët që kanë fatin të presin ditën kur t’u vijë radha për të vënë stenta në Qendrën Klinike Spitalore të Kosovës (QKUK), po përballen me dëshpërim.
Kjo për faktin se në Klinikën e Kardiologjisë ka mungesë të kontrastit.
Ky preparat përdoret për të paraqitur pamje të qartë në rezultatet e radiografive.
E Klankosova.tv merr vesh se pacientët të cilët janë në radhë për vendosjen e stentave në zemër, po hospitalizohen në pritje të kontrastit.
Mungesën e këtij preparati e ka konfirmuar edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) në një përgjigje me shkrim për Klanin.
Aty thuhet se ky institucion i ka nisur procedurat për t’u furnizuar me kontrast me kohë, mirëpo procedura ka dështuar pasi lënda është duke u shqyrtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
“Shërbimi farmaceutik i ShSKUK-së ka iniciuar procedurat për kontraktimin e kontrastit me kohë, e njëjta procedurë ka dështuar. Pas ri-inicimit, lënda është duke u shqyrtuar në OShP, pas ankesave të kompanive që kanë marrë pjesë në proces”, ka thënë ShSKUK-ja.
Më tej, ky institucion ka thënë se kanë iniciuar “procedurën e tretë alternative për të siguruar furnizim dhe gjatë kësaj periudhë jemi furnizuar përmes donacioneve”.
“Jemi furnizuar me kontrast dhe menjëherë e kemi furnizuar Klinikën e Radiologjisë si dhe Barnatoren e Klinikës së Internos”, ka thënë Shërbimi Spitalor për Klanin.
Megjithatë, edhe përkundër kësaj, pacientët e kardiologjisë ende nuk kanë kontrast.
Të njëjtëve u është thënë se nëse nuk duan të presin, mund ta blejnë preparatin me mjete vetjake në barnatore private