Policia në Shqipëri ka njoftuar se është arrestuar një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar me 20 vjet burgim për trafik ndërkombëtar droge.
Bëhet fjalë për Alija Arslan, 34 vjeç, banues në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut.
Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern/Zvicër, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Kantonit Argau.
Në njoftim thuhet se Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bern/Zvicër, do të vijojnë veprimet për ekstradimin e tij drejt Zvicrës.
Njoftimi i plotë:
PKK Qafë Thanë
Kapet në hyrje për në Shqipëri një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 20 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.
Në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë ndaluan dhe arrestuan në hyrje të territorit shqiptar shtetasin:
Alija Arslan, 34 vjeç, banues në Kërçovë, Maqedonia e Veriut.
Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern/Zvicër, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Kantonit Argau.
34-vjeçari është i dënuar me 20 vjet burg, për vepra penale të lidhura me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, të parashikuara nga neni 19 i Aktit mbi Narkotikët dhe Substancat Psikotrope të Kodit Penal Zvicerian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bern/Zvicër, vijojnë veprimet për ekstradimin e tij drejt Zvicrës.