Studentët e mbledhur në nismën “Studentët në Bllokadë” kanë bllokuar ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë (RTS) dhe kanë paralajmëruar se bllokada do të zgjasë 22 orë.
Ata kanë njoftuar në rrjetet sociale se kanë mbyllur të gjitha hyrjet në ndërtesën e shërbimit publik, por punonjësit do të lejohen të largohen. Ata theksuan se “askush nuk do të hyjë në godinë derisa të çlirohet RTS”.
Ata ftuan qytetarët që t’u bashkohen atyre dhe të mbështesin bllokadën, si dhe të lënë donacione në fakultetet e afërta – Fakulteti i Inxhinierisë, Fakulteti i Teknologjisë dhe Metalurgjisë (TMF), Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti Juridik dhe BAPUSS.
Bllokada shkaktoi edhe probleme në komunikacion – trafiku u ndalua në rrugën Takovska, ndërsa të mbledhurit brohorisnin parulla proteste.
Situata u përshkallëzua kur policia mbërriti para RTS.
Rreth orës 23:26, një kordon policie kaloi mes studentëve dhe u fut në godinën e shërbimit publik. Paraprakisht, forcat policore janë vërejtur në rrugën Aberdareva, ndërsa automjetet e Xhandarmërisë kanë kaluar në rrugën Takovska.
Siç raportojnë mediat serbe, policia ka përdorur forcë dhe i ka rrahur studentët me shkopinj.
Një numër në rritje i studentëve dhe qytetarëve po mblidhen para ndërtesës së RTS-së, përfshirë aktorin Haxhi Nenad Mariçiq dhe profesorin Nebojsha Romçeviq.