Opinionisti, Vehbi Kajtazi, deklaroi se grupi i shtatë personave të ndaluar si të dyshuar për vrasjen e policit Muhamed Lika, i përkasin një organizimi që quhet “Rinia Islame Kaçanik”, i përbërë nga 30 persona dhe se kjo e ashtuquajtur organizatë është themeluar nga Lavdrim Muhaxheri.
“Janë djem të rinj që janë të mbledhur rreth këtij grupi. Gjithmonë ka pasur dyshime për ta se mund ta kryejnë ndonjë akt të ndaluar ligjërisht që mund ta dëmtojë dikë ose shtetin e Kosovës”.
“Janë zbuluar të paktën dy poligone të ashtuquajtura në fshatra të Kaçanikut që janë përdorur nga këta për ushtrime të armatosura. Ato janë zbuluar tash së fundmi, por ka pasur informata për to. Këta persona janë të trajnuar mirë dhe janë të gatshëm për të kryer akte si vrasje për ideologjinë e tyre”, deklaroi Kajtazi në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Më tej ai shtoi se të gjithë këta, përfshirë Lavdrim Muhaxherin, kanë qenë ndjekës pasionantë të hoxhës Zekirja Qazimi, i cili ka qenë i dënuar për 10 vjet burgim për vepra që lidhen me terrorizmin.
“Ditën që ka dalë nga burgu, ai ka mbajtur fjalim, dhe aty prezent ka qenë edhe njëri prej të arrestuarve që është tani për vrasjen e Likës”, shtoi Kajtazi.