Kadetët e FSK-së kryen ushtrimin 36-orësh, fortifikim pozicionesh dhe mbrojtje e zonës
Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se Qendra për Studime Universitare organizoi me sukses një ushtrim intensiv 36-orësh fushor, gjatë të cilit kadetët zhvilluan trajnime praktike në operacione mbrojtëse.
Ky ushtrim u fokusua në forcimin e aftësive taktike dhe përgatitjen e kadetëve për situata reale në terren.
“Gjatë ushtrimit, kadetët u angazhuan në një sërë detyrash operative, përfshirë fortifikimin e pozicioneve mbrojtëse, operacione zbulimi dhe mbrojtjen e zonës. Pjesë e këtij ushtrimi ishin edhe tre kadetë nga Kolegji Mbretëror “Saint-Jean” i Kanadasë, të cilët po vijojnë studimet në QSU për një semestër”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Tutje thuhet se ky aktivitet shërbeu për rritjen e gatishmërisë profesionale dhe përmirësimin e aftësive taktike të kadetëve, duke dëshmuar përkushtimin e QSU-së në përgatitjen cilësore të kuadrove të ardhshme.