Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratave të dy kandidatëve për kryeministër nga PDK dhe AAK, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj, lidhur me formimin e qeverisë dhe takimet që ata kanë pasur mes vete, por jo me LDK-në, shkruan Insajderi.
Abdixhiku i ka ftuar ata të “kadalin” dhe ka theksuar se ka një rend të caktuar politik në Kosovë, duke shtuar se kjo nuk është një situatë që mund të përshpejtohet.
“Kadalni burra, se ka njëfarë rendi këtu në Kosovë, nuk është shumë e thjeshtë,” tha Abdixhiku.
Ai ka theksuar se për të, është e domosdoshme që të konsultohet me strukturat e LDK-së dhe grupin parlamentar para se të flasë për ndonjë temë të caktuar.
Abdixhiku ka shpjeguar se ka pasur komunikime të vazhdueshme me shkrim me Haradinajn për çështje të interesave të ndryshme, por ka potencuar se nuk ka pasur ende takime personale, duke respektuar procesin e brendshëm të partisë.
“Nuk mund të flas për një temë të caktuar pa pyetur ata që kanë marrë besimin e qytetarëve,” tha Abdixhiku.
Ai gjithashtu përmendi rëndësinë e ndjekjes së rendit politik dhe të respektohet procesi i certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Duhet pritur sepse ka një rend politik shumë të qartë në Kosovë dhe nuk besoj që duhet kapërcyer këtë rend, sepse më pas çfarëdo ngutie jep rezultate shpesh edhe qesharake,” shtoi ai.
Abdixhiku tha se fituesi i zgjedhjeve ka të drejtën kushtetuese të formojë institucionet dhe se presioni i vetëm është që ky fitues të bëjë institucione funksionale.