Dëshmitarët Murat Kabashi dhe Elmi Gashi- të dy nga fshati Mohlan, Komuna e Suharekës rrëfyen të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rrahjet që kishin përjetuar gjatë vitit 1998 dhe 1999 nga i akuzuari për krime lufte, Shaqir Lutvija në burgun e Prizrenit.
Në këtë rast, Shaqir Lutvija akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitari Kabashi tha se ishte në bashkëjetesë e me kushte të vështira ekonomike me 22 familjarë dhe se një ditë i kishte lindur nevoja që të shkonte në qytet të blinte ushqim.
Sipas Kabashit, me t’u kthyer nga Suhareka në fshatin Mohlan ku ishte ambulanta e fshatit, ishin vendosur policia serbe dhe aty e kishin arrestuar me arsyetimin se duhet të japë deklaratë.
Pas arrestimit, Kabashi tha se e kishin dërguar në burgun e Prizrenit, ku sipas tij, e kishin vendosur në dhomën numër 36, ku edhe ishte i akuzuari Lutfija.
Dëshmitari tha se e kishin pyetur se a ka bërë roje gjatë kohës së luftës dhe se, sipas tij, këtë e kishte mohuar dhe nuk ishte përgjigjur, për çka, më pas tha se kishin filluar me rrahje e cila kishte zgjatur dy ditë.