Juventusi fitoi minimalisht në Torino kundër Sporting Lisbonës në takimin e parë çerekfinal të Ligës së Europës. Goli i vetëm i sfidës u realizua nga Federiko Gati në minutën e 74 të lojës.
Skuadrat bënë një lojë sulmuese, por golat munguan. Portugezët synonin që të vazhdonin ecurinë e tyre të mirë në Europë, por u mposhtën nga “Zonja e Vjetër”.
Te bardhezinjtë shqetësoi dalja e parakohshme e portierit Shezni, me këtë të fundit që hasi vështirësi në frymëmarrje. Trajneri i bardhezinjve Masimiliano Alegri tha pas suksesit se djemtë treguan zemër dhe pasion në fushë, e tani ekipi duhet të përqendrohet në kampionat.
Në stadiumin “Old Traford”, Manchester United hodhi një hap të gabuar. Edhe pse dominoi, barazoi 2-2 me Sevijan. Në pjesën e parë Sabitzer shënoi dy here në të 14’ dhe 21’.
Por spanjollët prishën festën dhe barazuan si pasojë e autogolave të Malacia dhe Meguajër. Sfida midis Bajer Leverkuze dhe Union Saint-Gilloise përfundoi në barazim.
Belgët kaluan në avantazh me Boniface në të 51’. Barazimi erdhi me Virtz tetë minuta nga fundi i kohës së rregullt.