Profesori dhe eksperti i politikës së jashtme dhe çështjeve të Ballkanit, Edward Joseph, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk e ka mbështetjen e plotë të BE-së apo Britanisë së Madhe, dhe është përballur vazhdimisht me kritika.
Kjo deklaratë erdhi pasi ai u pyet se a duhet të pritet presion ndaj Kurtit, si në rastin e Zelenskyt, për të shtyrë drejt një ujdie.
Joseph tha se Kurti mund të përballet me presione të njëjta si ato ndaj presidentit ukrainas nga Donald Trump, por është në pozita edhe më të pafavorshme se Zelensky.
Madje ai tha se edhe pse Vuçiq ka ndërmarrë hapa provokues, edhe Kurti në të njëjtën kohë, siç thotë ai, në mënyrë të panevojshme ka provokuar situatën në veriun e Kosovës.
“Serbia është provokuese dhe nën udhëheqjen e presidentit Vuçiq, ka ndërmarrë hapa të qartë për të provokuar dhe për të destabilizuar situatën, dhe e pranoj këtë. Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti, në mënyrë të panevojshme ka provokuar situatën në veriun e Kosovës dhe nuk ka përmbushur përgjegjësinë e tij si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk e ka përmbushur këtë në drejtim të serbëve, të cilët janë qytetarë të Kosovës dhe të cilët kryeministri Kurti duhet të përpiqet t’i tërheqë larg Beogradit, në vend që të ushtrojë trysni duke i bërë që të shohin nga Beogradi dhe jo nga Prishtina.”