Në ditën e parë të Konferencës së Mynihut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjithashtu zhvilluan një takim bilateral me zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jordanisë, Ayman Safadi.
Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Jordanisë kanë vendosur marrëdhënie të plota diplomatike në janarin e vitit 2013, kurse njohja nga Jordani ishte ndër të parat.
Siç njofton kryeministria përmes një kumtese, kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëskryeministrin Safadi për mbështetjen e vazhdueshme të Jordanisë; nga argumentimi në favor të rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, te mbështetja e vazhdueshme e ndër vite në forume multilaterale dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, e deri të ndihma me pajisje mjekësore për menaxhimin e pandemisë në vitin e kaluar.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti foli për mundësitë që marrëdhëniet e mira politike dhe diplomatike të dy vendeve t’i thellojmë edhe më tej nëpërmjet bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Kryeministri Kurti veçoi potencialin e Kosovës në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
U diskutua mbi qëllimet e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe për sfidat në ballafaqimin me pandeminë.
Zëvendëskryeministri jordanez, Safadi tha se si një nga shtetet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës, Mbretëria e Jordanit vazhdon të jetë përkrahëse e vendosur e saj. Në fund të takimit kryeministri Kurti mori ftesë për vizitë në Jordani, teksa të dy u zotuan në emër të qeverive respektive të thellojnë më tej marrëdhëniet bilaterale.