Kryeministri britanik, Boris Johnson, sugjeroi që Ukrainës duhet t’i jepet e drejta për të qenë nikoqire e Kampionatit Evropian Euro 2028, pavarësisht se Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda janë në garë për të njëjtin event.
Johnson ragoi ndaj lajmit se Rusia ka shprehur interesimin për të qenë nikoqire e garës, pavarësisht se vendi i tyre ishte i suspenduar nga futbolli ndërkombëtar për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, duke thënë se ishte “përtej satirës” që Rusia hyri në garë.
“Unë mendoj se ideja që Rusia të mbajë ndonjë turne futbolli apo ndonjë lloj ngjarjeje kulturore tani është përtej satirës. Nuk mund të besoj se dikush do ta konsideronte seriozisht kërkesën e tyre dhe gjëja më e mirë e mundshme do të ishte që të gjitha forcat e armatosura ruse të tërhiqen menjëherë nga Ukraina dhe t’ua dorëzojnë turneun atyre”, tha Johnson, i cili sot nga Kremlini u cilësua si “politikani më aktiv antirus”.
Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda fillimisht njoftuan synimin e tyre për të organizuar ‘Euro 2028’ dhe dukej se ofertat e tyre nuk do të përballeshin me asnjë kundërshtim, para hyrjes shokuese të Rusisë dhe një paraqitje pasuese nga ofertuesi shumëvjeçar, Turqia.
Figura të larta brenda UEFA-s u tronditën nga oferta ruse dhe kërkuan që oferta e tyre të bie poshtë menjëherë, raporton Metro.
Deklarata e interesit duhej pranuar sepse në këtë fazë anëtarësimi i Unionit të Futbollit të Rusisë në UEFA dhe FIFA nuk është pezulluar, por vetëm e drejta e ekipeve kombëtare dhe klubeve të tyre për të konkurruar në gara.
UEFA tha se do të shqyrtojë ofertën e Rusisë.