Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim ish-kandidatin për kryetar të Deçanit, Korab Mushkolaj, si dhe kandidatin e ri të PDK-së për këtë komunë, Jetmir Prekalla.
Lideri i PDK-së, falënderoi Mushkolajn për gatishmërinë dhe përkushtimin e tij për të qenë kandidat për kryetar të Deçanit, kandidaturë, e cila fatkeqësisht, nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të kufizimeve ligjore.
Rrjedhimisht, Partia Demokratike e Kosovës ka përzgjedhur kandidatin e ri për kryetar të Deçanit, Jetmir Prekalla. Ai ka përfunduar studimet master i shkencave në Inxhinieri Agroushqimore dhe Teknologji Agroushqimore, ndërsa aktualisht është asistent profesor në Universitetin “Haxhi Zeka” dhe në proces të realizimit të doktoraturës së tij.
I pari i Partisë Demokratike, i dha mbështetjen e plotë Prekallajt, duke theksuar se Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë fuqishëm përkrah tij dhe ekipit të PDK-së në Deçan, me synimin për të ofruar qeverisje lokale me përgjegjësi, zhvillim dhe vizion të qartë për të ardhmen e qytetarëve të kësaj komune.