“Jemi më tepër se propaganda e tyre”, Haradinaj akuzon qeverinë për qasje përjashtuese ndaj luftëtarëve të UÇK-së
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka publikuar sot një reagim të fuqishëm në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK-së, duke akuzuar qeverinë për harresë të qëllimshme dhe përpjekje për t’i zbehur meritat e tyre në shërbim të atdheut.
Në mesazhin e tij, Haradinaj thotë se çdo ditë që kalon, qeveria po i largon luftëtarët nga kujtesa publike, ndërsa propaganda po synon t’i shtyjë drejt harresës kolektive. Ai thekson se fillimisht ata u injoruan, më pas u ofenduan, madje edhe për veshjen e tyre, sa herë marshonin në përvjetore e tubime përkujtimore.
Kreu i kësaj partie akuzon pushtetin për orkestrim dokumentesh e procesesh gjyqësore që, sipas tij, kanë synim të qartë: dobësimin e figurës së luftëtarit. Por ai shton se përtej çdo goditjeje politike, struktura shpirtërore dhe mendore e luftëtarit mbetet e paprekshme.
Reagimi i plotë:
Luftëtari
Çdo ditë e më shumë që kalonte, qeveria i harronte.
Harresën për luftëtarin, e krijoi si rubikon propaganda e tyre.
Njëherë i injoruan, pastaj morën guxim deri në ofendim për veshje, e në dukje kur ata marshonin.
Propaganda orkestronte dokumente, procese gjyqësore, që ta realizonte harresen kolektive.
Por, ka diçka që duhet ta kuptoni.
Luftëtarin po e godasin, sepse e njohin procedurën ushtarake të përgatitjes së tij.
Por, thellë në shpirt dhe mendje, nuk mund të depërtojnë asnjëherë.
Luftëtarët gjithmonë jetojnë me qëllime të qarta.
Luftëtari është ai që s’ka frikë nga stuhitë, sepse stuhitë e kanë frikë vendosmërinë e tij.
Ai mban plagët si medalje, dhe heshtjen si urdhër.
Jeta e tij është komandë, sepse atdheun e mbron, kudo në secilën formë.
Qëndrimi i tij është shembull, sepse në stuhitë e luftës nuk dorëzohet, e në paqe dhe liri duron në secilin çmim, sepse misioni është atdheu dhe ekzistenca e jetës së brezave në siguri.
Kujtesa e tij është përjetësi. Janë thuajse të vetmit që në horizont e kanë parë vijen e hollë mes jetës dhe vdekjes.
Ata po vdesin natyrshëm të qetë, krenarë, stoik, që e kishin vetëm një peng në jetë, që nuk e patën fatin e dëshmorëve.
Do të jemi bashkë, këta që kemi mbetur.
Por mos harroni, jemi shumë më tepër se
Propaganda e tyre.
“Lumët Ju” si thotë populli. Për kontributin, për sakrificën dhe shembullin.
Mjerë ata. Që do të humbin gjithmonë me turp.
Nderime atdheut!