Organizatës paraushtarake libaneze Hezbollah po i mbarojnë paratë, thonë studiuesit për Zërin e Amerikës, pasi sulmet disajavore izraelite kundër grupit të mbështetur nga Irani kanë ndërprerë tre nga burimet kryesore të parave.
Studiuesit në Shtetet e Bashkuara dhe Liban, si dhe raportet e Departamentit amerikan të Thesarit identifikojnë burimin kryesor të parave me emërtimin Al-Qard al-Hasan, ose AQAH, një institucion gjysmë-bankar libanez, por pa liçencë bankare, i drejtuar nga Hezbollahu, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Studiuesit thonë se ndër burimet e tjera të parave për Hezbollahun janë bankat tregtare të Libanit tashmë të falimentuara, por të liçencuara, dhe dërgesat e parave me avionë në aeroportin e Bejrutit.
Ushtria izraelite përshkallëzoi sulmet ndaj udhëheqësve dhe objekteve të Hezbollahut muajin e kaluar, pas kishte kufizuar për 11 muaj kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të përditshme të kësaj milicie në Izraelin verior, në mbështetje të Hamasit. Grupi terrorist palestinez, i mbështetur gjithashtu nga Irani, sulmoi në territorin e Izraelit jugor nga Gaza tetorin e kaluar, duke shkaktuar një përgjigje të ashpër izraelite.
Hezbollahu themeloi AQAH-un në vitin 1982, si një institucion bamirësie që ofron hua pa interes për libanezët në nevojë, kryesisht shiitë, sipas Qendrës së Izraelit për Informacionin e Zbulimit dhe Terrorizmin (ITIC), një grup kërkimor joqeveritar i përbërë nga veteranë të komunitetit izraelit të zbulimit.