Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Oren Marmorstein, ka thënë se vendi i tij i rinisi sulmet ndaj Gazës, sepse “Hamasi në mënyrë të përsëritur e refuzoi propozimin për zgjatjen e armëpushimit dhe për lirimin e pengjeve tona”.
“Nga kjo pikë e tutje, Izraeli do të veprojë kundër Hamasit me intensitet ushtarak në rritje” – shtoi ai, duke i dhënë jehonë një deklarate të mëhershme të zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu, raporton televizioni BBC.
Zëdhënësi izraelit thotë se Izraeli më parë u ka thënë “po” propozimeve konkrete për zgjatjen e armëpushimit, por “Hamasi tha jo, prandaj pa pasur ndonjë zgjedhje tjetër”, forcat izraelite i nisën sulmet ndaj Gazës.
Kur u pyet nëse bisedimet për armëpushim janë “të vdekura” për shkak të këtyre sulmeve, ai tha se armëpushimi mori fund para dy javëve e gjysmë.
“Armëpushimi ishte arritur për një periudhë 42-ditore. Sipas marrëveshjes, nuk ka tranzicion automatik mes një faze (të armëpushimit) në një tjetër” – shtoi Marmorstein-i.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila menaxhohet nga Hamasi, ka thënë se të paktën 330 njerëz janë vrarë gjatë një sulmi të forcave izraelite gjatë natës së kaluar në enklavë