Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj grupit libanez të përkrahur nga Irani, Hezbollah, duke thënë se grupi “do të zhduket” nëse ndërmerr ndonjë sulm ndaj Izraelit në përkrahje të Teheranit.
Përmes një postimi në rrjetin X (ish-Twitter), Katz tha se “Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut nuk po mëson nga gabimet e paraardhësve të tij dhe po kërcënon që të veprojë sipas urdhrave të diktatorit iranian”.
Ai shtoi se durimi i Izraelit ndaj kërcënimeve terroriste ka marrë fund: “Nëse do të ketë terrorizëm, nuk do të ketë më Hezbollah.”
Deklarata e Katzit vjen pasi kreu i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi të enjten se grupi i tij do të reagojë “siç e sheh të përshtatshme” ndaj asaj që ai e quajti “agresion brutal izraelito-amerikan” ndaj Iranit.
Megjithatë, zyrtarë të Hezbollahut kanë deklaruar më parë se nuk synojnë të fillojnë luftime të reja me Izraelin, ndërsa një burim nga grupi i tha “Reuters”-it javën e kaluar se nuk ka qëllim të nisë sulme të reja për momentin.